Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka vizituar sot Kuvendin e Kosovës.
Hovenier ka takuar deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme.
Pas këtij takimi me dyer të mbyllura, ambasadori është deklaruar para mediave ku tha se ka patur një diskutim të shkëlqyeshëm me anëtarët e Komisionit, ku diskutuan për shumë çështje përfshirë këtu edhe sigurinë kombëtare.
Ai theksoi se ka vlerësim të lartë për rolin e Kuvendit, si një element i sistemit demokratik dhe po ashtu mbështet punën e kryer nga anëtarët e këtij Komisioni.
“Sapo pata një diskutim të shkëlqyer me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, isha i nderuar për këtë ftesë. Patëm një diskutim frytdhënës për sigurinë nacionale. Kam vlerësimin më të lartë për rolin e Kuvendit, si një element i sistemit demokratik dhe gjithashtu kam respekt edhe për anëtarët e këtij Komisioni dhe punën që ata bëjnë për të mbështetur Kosovën në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh Hovenier.
E deputeti i VV-së, Haki Abazi tha se në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet që ka Kosova me SHBA-në, si dhe rrugën euroatlantike të cilën po ndjek./Lajmi.net/