Bazuar në praktikat e deritanishme të qeverisjes me vendin, të gjitha partitë politike po e dëshmojnë se asnjëra prej tyre nuk janë shtetndërtuese, por zhvatëse dhe shtetrrënuese.
Të gjitha partitë politike janë bërë të njëjta dhe të inkriminuara thellë me nëntokën kriminale që po e udhëheq këtë shtet. Si produkt i kësaj, të gjithë liderët partiakë, pa dallim pushtet dhe opozitë janë bërë supermilionerë.
Zgjedhjet në Veri pa pjesëmarrjen e shumicës, të dështuara
Përgjatë këtyre 24 viteve në liri është dëshmuar se partitë politike derisa janë të ndara në pozitë dhe opozitë e shajnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën, ndërsa në momentin e bërjes bashkë në pushtet i thurin lavde njëjra-tjetrës, duke mos u ditur më, cili është kapësi e cili ç’kapësi i shtetit.
Përderisa në secilin shtet demokratik, opozita e mbron shtetin dhe mbanë balancin politik duke korrektuar njëkohësisht gabimet e partive në pushtet, tek ne ka ndodhur e kundërta, opozita disa herë e ka rrezikuar shtetin për marrjen e pushtetit.
Zgjedhjet e mbajtura në Veri fund të muajit Prill të këtij viti pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe faktorin politik vendor, jo vetëm që ishin të panevojshme, po dalin të jenë të dështuara dhe të dëmshme për vendin.
Mund të mbahen sërish zgjedhje të reja në veri të vendit, por nuk do të kemi asnjë ndryshim pa një zgjidhje politike, gjegjësisht pa një marrëveshje finale ndërkombëtare me Serbinë.
I vetmi rezultat do të jetë humbja kot së koti e qindramijëra eurove të buxhetit të shtetit sikurse herën e parë dhe krijimi i një situate akoma më konfliktuoze seqë ishte më parë.
Andaj, pa zgjidhje paraprake për veriun, zgjedhjet përveqse nuk do të sjellin asnjë ndryshim, do të kemi përseritje të situatave konfliktuoze dhe skenave të njëjta të dhunës. Si të tilla, zgjedhjet në veri, nuk mund të definohen as si të parakohshme dhe as të jashtëzakonshme, por vetëm përseritje e “Status Quos” dhe akrobacione politike në dëm të shtetit dhe qytetarëve!
Do të ishte e kotë mbajtja e zgjedhje në Veri pa kthimin e serbëve në institucione dhe pa garantimin e daljes së tyre në ato zgjedhje. Nuk ka dhe nuk do të ketë integrim të pjesës veriore pa plotësimin e këtyre dy kritereve.
Jo zgjedhje ne veri pa gjetjen e nje zgjidhje politike!
Zgjedhjet pa zgjidhje politike jane perseritje e situatave paraprake!
Zgjedhjet pa ngritjen e vetëdijes qytetare nuk sjellin ndryshim
Pa ngritjen e vetëdijes qytetare dhe ndërgjegjësimit të popullatës, asnjë palë zgjedhje në Kosovë nuk do të jenë produktive. Vetëm me ngritjen e vetëdijes qytetare, mund të bëhet një hap i madh në pastrimin e skenës politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si parakusht i domosdoshëm për pastrimin e sistemin të kalbur të drejtësisë.
Për shkak të mos interesimit të qytetarëve për ndryshime dhe mungesës së aplikimit të VETTING-ut, Kosova rrezikon që në legjislaturën e ardhshme të ketë akoma më shumë deputet të kriminalizuar dhe korruptuar sesa asnjëherë më parë.
Bandat partiake në pushtet dhe opozitë, të bindur në votën e klientelave të tyre partiake, në psikologjinë e qytetarëve të vendit e kanë futur largimin nga vendi si të vetmin shpëtim e jo ndryshimin, si kusht për ruajtjen e vazhdimësisë në kapjen e shtetit.
Jam thellësisht i bindur se ç’kapja e shtetit nuk mund të ndodhë pa angazhimin e të gjithë qytetarëve të vendit, kurse ky ndryshim po bëhet gjithnjë e më i pamundur nga zvogëlimi i popullatës si rezultat i ikjes masive të qytetarëve jashtë vendit.
Pa krijimin e një alternative të re politike, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të gjenden njerëz që do t’a përmbysin këtë klasë politike që i sollën izolimin më të tmerrshëm qytatarëve të Kosovës.
Megjithatë zgjedhjet do të ishin një barometër i emancipimit kulturor dhe pjekurisë politike të shoqërisë kosovare. Nga zgjedhjet e parakohshme eventuale do të shihej qartë, se a dëshirojnë qytetarët ndryshimin apo jo, do të përcaktohej qartë se a e meritojnë qytetarët liberalizimin e vizave apo vazhdimin e izolimit ndërkombëtar.
Shkruan: Florim ZEQA
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online