Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për presidentin.
Ata janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut.
Abdixhiku ka thënë se nga data 9 korrik kanë nisur takimet e vazhdueshme për diskutimet rreth stabilitetit institucional.
Ka thënë se kanë qenë të vendosur për të gjetur zgjidhje për të ecur përpara.
Ai ka thënë se bisedimet nuk ishin të lehta por shteruese.
Abdixhiku ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.
“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme“, tha Abdixhiku.















































