Trepça një fitore larg titullit, Bashkimi kërkon përmbysjen në Prizren

0
56

Prizreni do të jetë sonte qendra e basketbollit kosovar, ku Bashkimi dhe Trepça përballen në finalen e katërt të “Play-off”-it të ProCredit Superligës, në një duel që mund të përcaktojë kampionin e ri të Kosovës.

Ndeshja zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”, ku pritet atmosferë elektrizuese dhe spektakël i radhës, në vazhdën e një serie finale me rivalitet të madh dhe emocione të forta.

Skuadra mitrovicase udhëheq 3:0 në seri dhe është vetëm një fitore larg titullit të tretë radhazi kampion. Në anën tjetër, Bashkimi synon të shfrytëzojë përkrahjen e publikut vendas për të shmangur mbylljen e serisë dhe për ta ngushtuar rezultatin në 3:1.

Trepça ka dominuar plotësisht këtë edicion. “Xehetarët” hynë në plejof pas një serie prej 20 fitoresh rresht në Superligë, ndërsa në gjysmëfinale eliminuan Pejën me rezultat 3:1. Në finale, skuadra e drejtuar nga Adis Beqiragiq ka fituar dy ndeshjet në “Minatori” dhe më pas ka triumfuar edhe në Prizren.

Mitrovicasit kanë krijuar një seri prej shtatë fitoresh ndaj Bashkimit këtë sezon, përfshirë edhe finalen e Kupës së Kosovës. Humbja e vetme ndaj prizrenasve ka ardhur në përballjen e parë kampionale të edicionit.

Pas riorganizimit të klubit dhe afrimit të trajnerit Adis Beqiragiq, së bashku me lojtarë cilësorë vendorë e të huaj, Trepça ka ndërtuar dominim të plotë në basketbollin kosovar. Përveç dy titujve kampionë, klubi ka fituar pesë Kupa të Kosovës rresht, dy Superkupa dhe Ligën Unike.

Nëse triumfon sonte, Trepça do ta mbyllë sezonin me një tjetër trofe të madh dhe do të konfirmojë epokën e saj dominuese në basketbollin kosovar. Ndërkohë, Bashkimi synon ta zgjasë serinë dhe të mbajë gjallë shpresat për rikthim historik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here