Një incident i rëndë ka ndodhur në Prizren, ku një zyrtar policor është sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, raporton 04 Online.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur teksa një patrullë policore po verifikonte një person, i cili figuronte në listën e të kërkuarve nga drejtësia. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, i dyshuari ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policorë.
Policia ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin, i cili, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit, pasi ndaj tij ekzistonin dy urdhër-arreste aktive të lëshuara nga Gjykata.
Zyrtari policor i lënduar ka marrë tretman mjekësor.
“Rr. 5 Maji, Prizren / 11.03.2025 – NN. Një zyrtar policor mashkull kosovar derisa ka qenë me kolegët e tij në kryerje të detyrës zyrtare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar derisa ishin duke i bërë verifikimin pasi që i njëjti figuronte në listën e personave të kërkuar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në vuajtje dënimi pasi që kishte dy urdhër arreste aktive lëshuar nga Gjykata. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./04 Online