Shqipëria lë prapa humbjen nga Anglia, nis punën për ndeshjen ndaj Andorrës

0
55

Shqipëria u mposht 2:0 të premten mbrëma në “Ëembley” nga Anglia në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm që organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por “kuqezinjtë” e kanë lënë prapa atë disfatë, dhe menjëherë të shtunën kanë nisur punën për ndeshjen e ardhshme, atë ndaj Andorrës.

Ndeshja Shqipëria – Andorra luhet të hënën në “Arenën Kombëtare” në Tiranë në orën 20:45.

Shqipëria e udhëhequr nga përzgjedhësi Sylvinho ka stërvitur për më shumë se 60 minuta në stadiumin “The Hive” të Londrës, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit. Në dyshim për të luajtur ndaj Andorrës mbetet portieri Thomas Strakosha, i cili pësoi lëndim në duelin ndaj “Tre Luanëve”.

“Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portieri Thomas Strakosha i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Gjendja e tij paraqitet e mirë dhe mjekët janë optimistë që ai mund të rikuperohet për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës në Arena Kombëtare”, ka shkruar FSHF-ja.

Për pjesën tjetër të lojtarëve, FSHF-ja ka treguar se janë mirë dhe pa telashe fizike.

Shqipëria të dielën në orën 16:45 do ta mbajë konferencën zyrtare për ndeshjen e ardhshme, ndërsa stërvitjen zyrtare dhe të fundit para duelit të dytë të këtij muaji, do ta zhvillojë nga ora 17:30.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here