Ambasadori i Shqipërisë në Kiev, Ernal Filo, ka folur për News24 lidhur me sulmin masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, ku u godit edhe kompleksi i rezidencave ku ai jeton.
Sipas diplomatit shqiptar, sulmi i natës së kaluar ishte ndër më të rëndët që nga nisja e luftës në vitin 2022. Ambasadori tregoi se në orët e para të mëngjesit një nga raketat goditi kompleksin ku ndodhet rezidenca e tij. Ai shtoi se shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të shuar flakët në ambientet e goditura, ndërsa pas përfundimit të sulmit arriti të verifikonte dëmet në ndërtesë.
Në reagimin e tij, Filo dënoi sulmet ndaj civilëve dhe bëri thirrje për ndalimin e luftës.
“Që nga hapja për herë të parë të Ambasadës në Ukrainë vitin e kaluar, sulmi i mbrëmshëm, që filloi rreth orës 22:00 dhe përfundoi në orën 6:30 të mëngjesit, ishte sulmi më i gjatë, më i madh për nga sasia e përdorimit të dronëve dhe raketave, nga Iskander deri tek Oreshnik, dhe më shkatërrues që nga fillimi i konfliktit në vitin 2022. Në orët e para të mëngjesit, një nga raketat e përdorura goditi edhe kompleksin e rezidencave ku banoj unë. Goditja ishte aq e fortë sa eksplozivi depërtoi edhe në vendstrehimin e godinës, përveç dëmeve në fasadë. Ishte një përjetim jo i lehtë për mua si i vetmi diplomat në godinë, por edhe për banorët e zonës përreth. Shërbimet e emergjencës erdhën menjëherë dhe bënë shuarjen e flakëve në ambientet e vendstrehimit dhe në zonën ku ndodhi goditja. Me përfundimin e sulmit rreth orës 6:30 të mëngjesit, arrita të ngjitem dhe të shoh dëmet e shkaktuara. Godina është goditur në fasadën e jashtme, por është ende e banueshme. Autoritetet ukrainase më kanë kontaktuar dhe më kanë ofruar asistencë, nëse do të jetë e nevojshme, si dhe solidaritet të plotë. Këto sulme, që po terrorizojnë njerëz të pafajshëm në shkelje flagrante të së Drejtës Ndërkombëtare, duhet të ndalen dhe një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të arrihet.”, tha ambasadori.















































