Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 367-të, të hënën, ka zgjedhur Rrustem Thaqin kryesues të ri.
Në votim morën pjesë 11 anëtarë, prej tyre gjashtë vota ishin për Thaqin, ndërkaq pesë për kundërkandidatin e tij, Besnik Bislimaj.
Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Komisioni zgjedhor kishte në përbërje sërish: Ahmet Imamin, Astrit Hotin dhe Bislim Gashin.
Fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Por, më 30 prill dështoi zgjedhja e kryesuesit pasi dy kandidatët morën nga pesë vota, kështu u rishpall konkursi.
Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj. Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026.
Kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 24 prill 2026 kishte zgjedhur anëtarë të KGJK-së, Bashkim Hysenin- gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Ivana Milenkoviqin- nënkryetare dhe gjyqtare në Gjykatën e Apelit, por dështoi zgjedhja e një anëtari tjetër.
Këshilli Gjyqësor parashihet të ketë 13 anëtarë, aktualisht me zgjedhjen e Hysenit dhe Milenkoviqit janë 11, duke mbetur edhe dy vende pa u plotësuar, derisa për një vend po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore Prishtinë, derisa seanca u mbajt, më 4 maj 2026.















































