Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit Sh. Ll për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 nën paragrafin 4.2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Prokuroria njofton se, në mes të datave 03-05 maj 2022 në Junik në shtëpinë e tij, i pandehuri Sh. Ll., me përdorim të forcës e detyron personin tjetër të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, këtu të dëmtuarën e mitur H. F.
I pandehuri fillimisht e takon dhe përshëndet të dëmtuarën në rrugë, por e njëjta nuk ndalon dhe vazhdon rrugën, ndërsa i pandehuri e përcjell dhe përsëri e takon të dëmtuarën duke e ftuar për kafe në një lokal në Gjakovë. Pasi qëndrojnë për një kohë në lokal, i pandehuri më pas e fut të dëmtuarën në automjet dhe e dërgon në shtëpinë e tij në Junik, dhe gjatë qëndrimit në shtëpi i pandehuri me përdorim të forcës dhe pa pëlqimin e saj tri herë kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e dëmtuara arrin që të del nga dritarja e shtëpisë, largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqet rastin në polici.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Sh. Ll., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 11 maj 2022.