Ditët e fundit, në disa pjesë të Europës temperaturat janë rritur ndjeshëm, janë thyer rekorde të të nxehtit dhe pranvera është ndier më shumë si kulmi i verës.
Météo France, shërbimi kombëtar francez i motit, ia ka atribuuar këtë fenomen një “kupole të nxehtësisë”, ku ajri i ngrohtë mbetet i bllokuar nga një front atmosferik me presion të lartë, duke sjellë temperatura më shumë se 10 gradë Celsius mbi atë që dikur konsiderohej normale për këtë periudhë të vitit.
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po i përkeqësojnë fenomenet ekstreme të motit në mbarë botën, duke nxitur ekstreme vdekjeprurëse që mund të godasin në periudha të pazakonta dhe vende të papritura, duke marrë edhe jetë njerëzish.
Gazetarët e Guardian në pesë kryeqytete europiane folën me turistë dhe banorë lokalë për mënyrën se si e kanë përjetuar këtë valë të pazakontë të të nxehtit në maj, si dhe për shqetësimet e tyre lidhur me atë që emergjenca klimatike mund të sjellë në të ardhmen.
Jim, një vizitor nga Sydney, foli për valën e të nxehtit në Madrid ku shkoi me bashkëshorten e tij Marina.
“Këto nuk janë aspak temperaturat që prisnim,” tha ai. “Morëm rroba për mot më të freskët sepse këtë prisnim”.
“Vapa është e frikshme,” tha Darcey, 21 vjeç, duke përshkruar përjetimin e valës së të nxehtit brenda apartamentit të saj të vogël në katin e fundit në Paris.
“Ndonjëherë ndihet aq vapë sa pothuajse trembesh të dalësh jashtë, ndërsa nën çati është përvëluese”.















































