PISA, pasqyrë në të cilën duhet të shikohemi të gjithë

0
970

Nuk jam ekspert i arsimit, as nuk mendoj se jam i pagabueshëm. Jam një mësimdhënës i thjeshtë, me përvojë që mundohet ta kryejë detyrën e shenjtë sa më mirë që mundet e që shpesh ia drejton gishtin vetes.

Shqetësimet e mia që lidhen me arsimin dhe gjendjen e mjerueshme në shkollat tona ( shumicën) i kam shprehur disa vite më parë e po i shpreh edhe tani (e di, disa kolegë do më thonë: “fol e rruj voe”).
PISA! Prapë PISA! Prapë gishti u drejtohet mesimdhënësve. Po. Pajtohem. Duhet t’ua drejtojmë gishtin edhe atyre, pa asnjë dyshim. Por, para tyre, gishtin duhet ta drejtojmë te koka. Se fajtori gjithmonë kërkohet te koka. Në këtë rast koka është Qeveria/MASHTI.

Që nga paslufta në kokë ( zyret e MASHT) janë punësuar njerëz, të afërm të partive politike, që gjithçka kanë bërë(bile thuhet se kanë pasur edhe shtretë për të fjetur) veç me arsim nuk janë marrë.
Isha me një trajnim të organizuar nga një organizatë e huaj. Derisa po bisedonim me një inspektor të Arsimit, në lidhje me gjendjen e mjerueshme që ndodhet në shkollat tona, e pyeta se pse ky institucion ( Inspektoriati i Arsimit) është kaq pasiv, pse nuk tregon aspak rezultate. Ai më tregoi pse:
Na thirrën për inspektim në një shkollë të mesme. Na thanë se X profesori po i terrorizonte nxënësit me sjellje që as nuk mund të imagjinohen. Shkuam atje menjëherë. E vërejtëm se profesori në fjalë nuk meritonte ta mbante ditarin në dorë. Shkruam një rekomandim: “Duhet të largohet menjëherë”. Dhe a e din se çfarë ndodhi? Te dera e MASHTI-it na e kishte zënë dikush derën. Na u drejtua ashpër:
“As mendja mos t’u shkojë se mund ta largoni atë profesor nga puna. A e dini se atë e ka punësuar X personi që askush nuk guxon t’ia luaj?”.

Dhe kjo praktikë kancerogjene e arsimit ende vazhdon. Prej të gjitha partive, pa as më të voglin dallim.
Sot (njëjtë si nga paslufta) nuk ke pse konkuron për një vend pune nëse më parë nuk të kanë premtuar.
Kushtet në shkolla tona (jo te të gjitha) janë të mjerueshme. Nxënësit duhet të hanë nëpër korridor, në oborr, nëpër beton. E, kur është koha e keqe ushqimin e hanë edhe në klasë duke e shtuar erën e keqe që kurrë nuk u hiqet banjove ( natyrisht, kur kurrë aty s’ka shampon as ujë të ngrohtë).
Për drejtorët dihet. Edhe ata nuk kanë ardhur aty me meritë, me qëllim të mirë. Ata i ka emëru partia. E kur të bën drejtor partia, natyrisht se duhet të heshtësh, ta mbyllësh gojën. Asgjë s’mund të bësh pa lejen e saj.

Vetëm një numër shumë i vogël i shkollave janë të pajisura me kompjuterë e projektorë ani pse për
këtë qëllim janë dhënë jo mijëra por miliona euro.
Nëse ti shkon në një klasë të ftohtë, me një shkumës në dorë e shkruan në një tabelë të vjetër, me gunga-gunga, si do t’i motivosh nxënësit për të mësuar?
Sa mund të jesh produktiv në punë nëse ti shkon në shkollë me 100 probleme në kokë si p.sh: je i zhytur në kredi, ke fëmijë në fakultet, ke për të paguar dhjetëra fatura, me shëndet nuk je mirë, të rrezikohet vendi i punës për shkak të numrit të nxënësve, etj.etj?

Po prindërit?
A kanë faj?
A bashkëpunojnë ata sa duhet me shkollën?
A vijnë ata në mbledhje të prindërve?
A e din ata se fëmijët e tyre (disa) vijnë në shkollë me cigare, me armë të ftohta, vijnë të përgjumur, pa libra e fletore, pa uniforma, pa asnjë motiv për shkollë?
A e dinë ata se fëmijët e tyre (disa) përdorin substanca narkotike bile edher brenda shkollës. Ngacmojnë, bullizojnë dhe kërcënojnë?
A e dinë?
A e dinë prindërit se fëmijët e tyre (shumica) në testin PISA as që lodhen për ta gjetur përgjigjen e saktë?
Kush është fajtor për këto dështime të njëpasnjëshme?
Kush është përgjegjës?

Mendoj se problemi qëndron te KOKA!

Shkruan: Selim TAHIRI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here