Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka akuzuar Qeverinë Kurti se ka dështuar të mbrojë interesin e shtetit pas vendimit të Bashkimit Evropian mbi he e qytetarëve në Kosovë me pasaporta serbe.
Nënkryetarja e kësaj partie, Mimoza Ahmetaj, e ka quajtur të dëmshëm vendimin e BE-së, duke thënë se ka pritur nga BE-ja që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve. Sipas saj, vendimi i BE-së kontribuon në distancimin e serbëve të Kosovës.
“PDK-ja ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen sot si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë”, ka deklaruar Ahmetaj.
Sipas saj, Qeveria Kurti ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë “në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme”.
Ahmetaj ka shtuar se Qeveria nuk e ka kuptuar që “komentet e vakëta të tyre brenda Prishtinës janë zë i shurdhër në institucionet e Bashkimit Evropian”.
“Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive por asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtetndërtimit dhe konsolidimit të Kosovës”, ka potencuar ajo, duke thënë se PDK-ja vlerëson që ky vendim i BE-së tregon që s’ka komunikim me Qeverinë e Kosovës.
Ish-ministrja e Integrimeve ka potencuar se këto vendime s’i kontribuojnë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por që e cenojnë integritetin territorial.
“Para 14 vitesh, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e gjithë bota demokratike ishte me Kosovën dhe të drejtën e saj për shtet. Sot, 14 vite më vonë, nën udhëheqjen e papërgjegjshme dhe pa vizion të kësaj Qeverie, bota është larguar nga ne dhe Kosova po shkon drejt humbjes së momentumeve të rëndësishme për integrim e zhvillim”, ka shtuar ajo para mediave./Koha