“Pajtohet” komuniteti i karatesë, tjetër kuvend i jashtëzakonshëm

0
129

Federata e Karatesë e Kosovës nga korriku i vitit të kaluar u përball me ndarje të madhe. U krijuan dy grupe. Njërin grup e udhëhiqte Nazmi Gashi e Besart Baruti dhe tjetri grup drejtohej nga Avni Gashi. Por, dy grupet janë “pajtuar” dhe shpejt do të zgjedhin udhëheqjen e re – kryetarin, dy nënkryetarë dhe anëtarët e Bordit.

Besart Baruti pritet të zgjidhet sërish kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK). Baruti pritet t’i fitojë votat për t’u zgjedhur kryetar i FKK-së. Zgjedhja e Barutit kryetar pritet të jetë i pranueshëm të paktën për komunitetin e karatesë, që ka funksionuar i ndarë në dy grupe nga korriku i vitit të kaluar. Dhe, pasojat për ndarjen në dy grupe kanë qenë të mëdha. Por, telashet në komunitetin e karatesë “pritet” të marrin fund shpejt.

Baruti pritet të jetë kandidat i vetëm për kryetar në Kuvendin tjetër të Jashtëzakonshëm Zgjedhor që pritet të mbahet shpejt. Kuvendin i Jashtëzakonshëm do të thirret me 2/3 e nënshkrimeve të klubeve.

Të drejtë pjesëmarrjeje në Kuvend do të kenë të gjitha klubet që, ndër të tjera, janë të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

KOHA ka mësuar se ditë më parë është nënshkruar një marrëveshje në mes të dy grupeve.

Në FKK dhe KOK nuk kanë komentuar, por marrëveshjen e ka konfirmuar edhe Shemsi Shaqiri. Shaqiri ishte kundërkandidat i Barutit në Kuvendin e “përbashkët” të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të FFK-së, që u mbajt më 27 janar, që për kryetar nxori Besart Barutin.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk e pati pranuar si të ligjshëm Kuvendin e “përbashkët” të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK) të 27 janarit.

Nga Kuvendi i 27 janarit ishin identifikuar gjetje të shumta që bien ndesh me Udhëzimin Administrativ për Themelimin dhe Regjistrimin e Klubeve Publike dhe Private të Sportit.

Ishte identifikuar se delegatë të cilët në databazën e Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive figurojnë si anëtarë të një klubi, ndërsa në Kuvend kanë votuar për një klub tjetër. Dhe kjo për MKRS-në paraqet shkelje. Kështu licenca e FKK-së mbetet e pezulluar derisa Kuvendi të vlerësohet i ligjshëm nga MKRS-ja.

Por, në komunitetin e FKK-së besojnë se Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor që pritet të mbahet shpejt do të jetë edhe i fundit.

“E kemi nënshkruar marrëveshjen. Në takimin e përbashkët kanë qenë nga KOK-u Besim Aliti, nënkryetari Milaim Kelmendi, Fidan Shatri nga MKRS-ja. Kam qenë unë, Shkëlzen Berisha, Nazmi Gashi dhe Besart Baruti. Kemi nënshkruar marrëveshje për të dalë prej krizës. Jemi pajtuar që Besart Baruti të jetë kryetar, ndërsa pjesë të Bordit të jemi bashkë. Ne kemi qenë gjithmonë bashkë. Jemi shokë të gjithë. Shkojmë bashkë në gara. Është bërë mirë, ka fituar Federata dhe garuesit. Javën tjetër besoj do të mbahet Kuvendi”, ka thënë Shaqiri për KOHËN të enjten.

Për shkak të pezullimit të licencës, FKK-ja nuk është përfshirë në listën e federatave të kategorizuara për vitit 2024.

Shumica e federatave funksionojnë plotësisht me mjetet që i marrin nga buxheti i shtetit.

Përkrahja në bazë të kategorizimit, megjithatë, nuk është e vetmja e shtetit për federatat sportive. Nga kuleta e shtetit federatat përkrahen edhe në forma të ndryshme. Dhe kjo deri më tani shpesh ia ka humbur edhe kuptimin kategorizimit. Disa federata kanë marrë qindra mijëra euro të tjera pos atyre që parashikohen me kategorizim./Koha

Leave a Reply