José Mourinho ka vlerësuar paraqitjen e Real Madridit në fitoren 4-0 ndaj Malagas, duke theksuar se për të futbolli nuk lidhet vetëm me golat, por edhe me organizimin dhe punën në mbrojtje.
Trajneri portugez u shpreh se tifozët duhet të shijojnë edhe mënyrën se si skuadra punon si një bllok i vetëm, shkruan 04 Online.
“Është e rëndësishme që njerëzit janë argëtuar, por nëse e kanë një vizion për atë që është futbolli i nivelit të lartë, duhet ta shijojnë edhe pjesën e dytë. Aty e pamë një skuadër që punonte në mbrojtje, Vinicius humbiste topin dhe më pas kthehej për ta mbrojtur sërish. Futbolli nuk është vetëm ta shijosh bukurinë e golave, por edhe të shkosh në shtëpi duke menduar se jemi një bllok i vetëm. Mund t’i shënosh 121 gola në një sezon kur ke lojtarët më të mirë në sulm. Ne tashmë i kemi 10 gola në tri ndeshje, por disa ndeshje do t’i fitojmë 1-0 dhe do të largohemi po aq të lumtur”.
Mourinho foli edhe për qendërmbrojtësin Dean Huijsen, duke vlerësuar zhvillimin e tij dhe aftësinë për të fituar duelet.
“Nuk dua ta krahasoj me sezonin e kaluar. E takova në fillim të fazës përgatitore, gjatë ndeshjeve miqësore, dhe fola me të. Për mua, një mbrojtës qendror duhet të ketë cilësi me topin dhe besim për ta ndërtuar aksionin nga prapa… Por për mua, gjëja më e rëndësishme te një qendërmbrojtës është forca e tij dhe aftësia për t’i fituar duelet, duke ia dhënë skuadrës besimin se kemi dy lojtarë të fortë në prapavijë”.
Në fund, Mourinho theksoi filozofinë e tij për mbrojtësit: “Më pëlqejnë qendërmbrojtësit që mbrohen mirë. Nëse më pas mund të jenë edhe elegantë dhe të mirë me topin, perfekt. Por fillimisht duhet të mbrosh”./04 Online/















































