LDK: Kryesia me unanimitet mbështeti nominimin e Bekim Sejdiut, Grupi Parlamentar ta votojë

0
26

Lidhja Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së sotme të Kryesisë tha se “me unanimitet të plotë” kanë miratuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kanë mbështetur nominimin e Bekim Sejdiut për President.

Kjo deklaratë e Kryesisë vjen vetëm pak para mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Kryesia tha se ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pati një thirrje për Grupin Parlamentar të partisë.

“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

LDK tha se mbështetja e dhënë për Sejdiun lidhet edhe me “përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”.

Deklarata e plotë:

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbështetje të autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i LDK-së dhe në ushtrim të përgjegjësive të saj statutare, shqyrtoi marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Pas shqyrtimit, Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës.

Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.

Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional. Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë.

Në të njëjtën kohë, zgjedhja e Presidentit të Republikës kërkon një personalitet me integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, i cili e kupton peshën kushtetuese të kësaj detyre dhe është në gjendje ta përfaqësojë unitetin e popullit.

Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës. Përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të vendit përbën garanci për ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së Presidentit.

Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit; me theks të veçantë në orientimin tonë euroatlantik.

Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në çështjet që përcaktojnë stabilitetin dhe të ardhmen institucionale të vendit, përgjegjësia ndaj Republikës duhet të qëndrojë mbi çdo konsideratë tjetër. Respektimi i vendimeve të organeve legjitime të partisë është njëkohësisht respektim i mandatit politik, i besimit të anëtarësisë dhe i interesit shtetëror.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me maturi, unitet dhe përgjegjësi, duke vendosur mbi të gjitha interesin e Republikës së Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here