Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka njoftuar se para dy ditëve është takuar me kryeministrin Albin Kurti për të folur për çështjen e gjykimit të katër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë dhe strategjinë e nevojshme për mbrojtjen në Apel.
“Unë dhe kryeministri Kurti jemi takuar sërish para dy ditësh, për çka e falënderoj dhe si rrjedhojë e diskutimeve dje është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë shtetërore e mbrojtjes në fazën e Apelit. Ky është një hap i mirë. Por, tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet. Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore, me përgjegjësi të qartë, afate konkrete dhe rezultate të matshme që udhëhiqen nga interesi afatgjatë i shtetit tonë”, tha Hamza në Kuvend.
Ai tregoi edhe pritshmëritë që ka nga presidentja Justina Shiroka-Pula për mbrojtjen e luftës çlirimtare.
“Fillimi i punës së presidentes Shiroka-Pula e hap një kapitull të ri institucional që duhet të shoqërohet me përgjegjësi, përkushtim dhe përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë. Presim që mandati i saj të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm për procesin në Hagë, për respektimin e të drejtave të tyre dhe mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare. Presim ta përdorë autoritetin e institucionit të Presidencës për të komunikuar me partnerët ndërkombëtarë për t’ua shpjeguar kontekstin historik atyre që e kanë harruar dhe për të siguruar që zëri i shtetit tonë të jetë i pranishëm, i argumentuar dhe i dëgjuar kudo”.
Hamza tha se mbrojtja juridike në gjykatë dhe mbrojtja e vërtetës historike në arenën ndërkombëtare janë dy detyra të ndryshme, por tha se duhet të ecin krahas.
“Shteti të sigurojë mbështetjen e nevojshme. Ta prodhojë një strategji konkrete”.
Hamza tha se urgjente është edhe rritja e fondeve për mbrojtjen juridike./Express/














































