Greva sakrificë personale për realizimin e të drejtave kolektive!

0
1086

Greva më e gjatë dhe më e pakuptimtë në historinë e arsimit shqip në Kosovë. Sakrifikimi i fëmijëve për qëllime politike është mëkati dhe absurditeti më i madh i kësaj greve. Greva e pezulluar, por e papërfunduar e dëshmon synimin e arritjes së qëllimit politik. Nga kjo lojë e pistë, e dhimbshme dhe tragjikomike pësuan nxënësit dhe familjet e tyre.

Të gjithë ju gëzuam fillimit të vitit shkollorë, por jo edhe politizimit të arsimit!

Greva është një abstenim kolektiv nga puna nga punëtorët vartës, i promovuar nga sindikatat, me synimin për të siguruar një përmirësim të kushteve të punës në krahasim me ato të rregulluara nga marrëveshja kombëtare e marrëveshjes kolektive.

Greva është e drejtë legjitime e punëtorëve pasi konsiderohet një formë e vetëmbrojtjes së punonjësve nga shkeljet eventuale ligjore nga punëdhënësi. Për këtë arsye punëtorët kanë të drejtë të abstenojnë nga puna kur synojnë të mbrojnë të drejtat e tyre.

Mirëpo, punëtori që hyn në grevë, duke mos punuar e humb të drejtën e pagesës për ditët e humbura, por nuk përballet me asnjë pasojë tjetër ligjore, siq është mbyllja e kontratës dhe largimi nga puna për shkak të grevës.

Greva janë të shkurta dhe me afat të caktuar

Në secilin vend të lirë dhe demokratik, përveq në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë, greva fillon me paralajmërim, por pa afat të caktuar të përfundimit!

Në secilin vend të botës së lirë dhe demokratike, grevat janë të paralajmëruara dhe afatshkurtëra. Greva fillon me nga 2 ose 4 orë, e më së gjati 8 orë dhe përfundon brenda një dite! Orët e grevës nuk paguhen nga punëdhënësi dhe as nga sindikatat. Thjeshtë kjo është sakrificë personale e punëtorit për t’i tërhequr vërejtjen punëdhënësit apo shtetit, përkatësisht Qeverisë për ndryshimin e marrëveshjeve kolektive që favorizojnë përmirësimin e kushteve të punës apo rritjen e pagave për punëtorët e sektorit të caktuar!

Për ta sqaruar më thjesht dhe më mirë këtë situatë, unë personalisht disa herë jam përballur me greva në sektorin privat në shtetin ku jetojë. Disa herë ka ndodhur të futemi në grevë 4 orëshe, por vetëm dy herë për 26 vjet përvojë pune i kemi mbajtur nga 8 orë pune grevë! Në të dyja këto raste, punëdhënësi më qëllim të thyerjes së frontit grevist më ka ofruar pagesën e orëve të grevës në këmbim të orëve të pushimit, gjë të cilën e kam refuzuar për t’i qëndruar besnik organizimit sinidikal të grevës.

Sikur të paguheshin orët e grevës, ato do të ishin përditshmëri e jetës në vendet e lira dhe demokratike. Sindikatat janë urë lidhëse mes punëtorit dhe punëmarrësit, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve në përputhje me kontratat kolektive, duke ushtruar presion tek qeveria për përmirësim të kushteve të punës dhe ngritje të pagave.

Kosova “Sui generis” i llojit të vet

Meqenëse, vendi ynë, Kosova është “Sui generis” i llojit të vet, ku çdo veprim politizohet, në këtë rast edhe greva u politizua skajshmërisht, propozojë që të arrihet një marrëveshje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, në mënyrë që pagesa e mësimdhënesve të bëhet me kushtin e kompensimit e të gjitha orëve të humbura të mësimit, si zgjidhje të vetme kompromisi për dalje nga situata konfliktuoze.

Para së gjithash, kjo duhet të ndodhë për të mirën e nxënësve, në mënyrë që këta të fundit të vazhdojnë mësimxënjen e paraparë sipas planprogrameve mësimore.

Ndryshe, mësimxënja nuk mund të jetë e njëjtë për nxënësit që kanë filluar mësimet më 3 Tetor me ata që e kanë filluar mësimin më 1 Shtator 2022.

Me këtë rast duhet të merrë fund edhe logjika e të bërit grevë paafat në sistemin arsimor, nga e cila më të dëmtuarit mbeten nxënësit, gjegjësisht fëmijët që janë e ardhmja e vendit tonë. Për çka, grevat afatëgjatë në arsim duhet të ndalohen me një ligj të veçantë në nga Parlamenti i Kosovës.

Po ashtu, me një projektligj të veçantë në Parlamentin e Kosovës duhet të përcaktohen edhe kriteret e vlerësimit të punës së mësimdhënësve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim, në mënyrë që të shënojmë ngritje në vlerësimet e PISA-s, e jo të mbetemi në renditje në fundin e tabelave vlerësuese!

Mësimdhënësit dhe Qeveria duhet t’i trajtojnë nxënësit siç i trajtojnë fëmijët e tyre! Politika duhet të krijojë kushte për punë normale dhe t’i mbajë duart largë institucioneve shkollore!

Shkruan: Florim ZEQA

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here