Prindërit sot i lejojnë fëmijët të luajnë vetëm jashtë shtëpisë mesatarisht nga mosha 11-vjeçare, ndërsa koha që kalojnë duke luajtur në rrugë është reduktuar në vetëm rreth 25 minuta në javë, sipas një raporti të ri.
Studiuesit paralajmërojnë se fëmijët e sotëm po privohen gjithnjë e më shumë nga ajri i pastër, loja e lirë dhe pavarësia që gjeneratat e mëparshme e përjetonin shumë më herët.
Universiteti i Exeterit, që publikoi raportin, ka njoftuar edhe hapjen e një Qendre Kërkimore për Lojën në Natyrë, e cila do të studiojë përfitimet e aktivitetit jashtë shtëpisë dhe pasojat e mungesës së tij.
Në studim morën pjesë afro 2 mijë prindër dhe kujdestarë të fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç, të pyetur në kuadër të “British Children’s Play Survey”.
Më shumë se gjysma e të anketuarve, 56 për qind, pranuan se fëmijët e tyre i lejojnë të luajnë të pavarur në një moshë më të madhe sesa ajo në të cilën vetë ata kishin fituar këtë liri kur ishin fëmijë.
Sipas të dhënave, fëmijët sot lejohen të luajnë vetëm jashtë mesatarisht në moshën 10.8 vjeç, krahasuar me 9.7 vjeç për prindërit e tyre. Studiuesit e konsiderojnë këtë një vonesë të ndjeshme.
Edhe koha e kaluar në rrugë është tkurrur ndjeshëm. Fëmijët kalojnë mesatarisht vetëm 25 minuta në javë duke luajtur jashtë në lagje, ndërsa prindërit dhe gjyshërit e tyre kujtojnë se kalonin orë të tëra larg shtëpisë.
Profesoresha Helen Dodd, drejtoreshë e Qendrës Kërkimore për Lojën në Natyrë, tha se dallimi mes brezave tregon se fëmijëve po u mungojnë gjithnjë e më shumë mundësitë për lojë të pavarur.
“Shumë prej nesh kanë kujtime të bukura nga fëmijëria, kur luanim jashtë deri sa ndizeshin dritat e rrugës dhe përjetonim për herë të parë ndjenjën e lirisë. Fëmijët e sotëm po humbin pikërisht këto përvoja”, tha ajo.
Sipas saj, qendra e re është ngritur me synimin për të sjellë një ndryshim real në mënyrën se si shoqëria e trajton lojën e fëmijëve në natyrë.
Pse fëmijët po luajnë më pak jashtë?
Ekspertët e lidhin këtë trend me mungesën e hapësirave të sigurta dhe cilësore për lojë, rritjen e kohës para ekraneve dhe shqetësimet e prindërve për trafikun dhe rrugët e ngarkuara.
Profesoresha Dodd ka kërkuar më herët edhe heqjen e tabelave si “Mos shkelni barin” apo “Ndalohet loja me top” nga hapësirat e gjelbra, me argumentin se ato kufizojnë mundësitë e fëmijëve për të luajtur lirshëm.
Loja në natyrë lidhet me shëndet më të mirë mendor
Studimet kanë treguar se loja e pavarur jashtë mund të lidhet me më pak simptoma ankthi dhe depresioni, si dhe me nivele më të larta lumturie tek fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç.
Hulumtime të tjera të Universitetit të Exeterit kanë zbuluar se fëmijët që luanin më shpesh jashtë në moshën dy, tre dhe katër vjeç kishin më shumë gjasa të ruanin një profil të mirë të shëndetit mendor edhe gjatë viteve të mëvonshme të fëmijërisë.
Për çdo ditë shtesë në javë që një fëmijë luan jashtë gjatë viteve parashkollore, gjasat për të pasur një profil të shëndetshëm mendor deri në moshën tetëvjeçare rriten me rreth 6 deri në 14 për qind, sipas studiuesve.
Ish-ministri britanik i Shëndetësisë Sajid Javid, i cili kryeson fushatën për mbledhjen e fondeve për qendrën e re, tha se koha e kaluar jashtë ka ndikim të thellë në mirëqenien mendore.
“Koha që fëmijët kalojnë duke luajtur në natyrë ndikon fuqishëm në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Puna e kësaj qendre ka potencialin të përmirësojë jetën e fëmijëve dhe të të rriturve për breza të tërë”, tha ai.
Një raport tjetër i mëhershëm kishte gjetur se ndryshimet në mënyrën e punës gjatë 30 viteve të fundit kanë bërë që shumë prindër të thonë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i mbikëqyrur fëmijët jashtë. Në disa raste, fëmijëve u mungojnë edhe veshjet e përshtatshme për mot të ftohtë apo të nxehtë.
Amber Ogunsanya-William, konsulente për lojën gjithëpërfshirëse, theksoi se loja nuk duhet parë si luks.
“Loja nuk është privilegj. Ajo është një pjesë themelore e zhvillimit dhe u jep fëmijëve mjetet që u duhen për t’u rritur dhe për t’u bërë të rritur të shëndetshëm”, tha ajo.














































