Elvana Gjata bën thirrje për qetësi pas tensioneve në Tiranë: “Protestoni, por pa dhunë”

0
43

Elvana Gjata ka reaguar pas tensioneve të fundit në Tiranë, duke bërë thirrje për qetësi, dialog dhe shprehje të pakënaqësisë pa dhunë.

Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja shprehu shqetësimin për pamjet e përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke theksuar se dhuna mes qytetarëve është ajo që e prek më së shumti.

“Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkroi Gjata.

Artistja iu drejtua gjithashtu politikës, qeverisë dhe drejtuesve të institucioneve, duke kërkuar që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të trajtohen përmes një dialogu të mirëfilltë.

“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, ishte një tjetër pjesë e mesazhit të saj.

Në reagimin e saj, Elvana theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, por bëri thirrje që kjo të ndodhë pa dëmtuar njerëz apo prona.

“Protesto! Ulërit! Frymëzo! Bashkohu në protestë qytetare! Por, mos shkatërro! Mos digj! Mos dhuno!”, shkroi këngëtarja.

Mesazhi i saj përfundon me theksin te përgjegjësia e përbashkët për vendin dhe te nevoja që të rinjve t’u krijohen më shumë mundësi për të ardhmen.

Reagimi i Elvana Gjatës vjen pas protestave të zhvilluara në Tiranë, të cilat u shoqëruan me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës.

Përmes qëndrimit të saj, artistja ka zgjedhur të mbështesë të drejtën për protestë, duke u distancuar njëkohësisht nga çdo formë dhune dhe duke bërë thirrje që përplasjet t’i lënë vend dialogut.