Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dalë me një deklaratë për media lidhur me takimin e 14 shtatorit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë deklaratë të lëshuar sot BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit të marrëveshjeve për të cilat palët kanë rënë dakord në fillim të këtij viti, marrëveshje këto që siç thekson deklarata janë të detyrueshme dhe luajnë rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Aty thuhet se puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.
“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.
BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.
BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik.
“BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, vazhdon deklarata, teksa përsëritet se hapat e ndërmarrë deri më tani në këtë drejtim janë të pamjaftueshme.
Në fund BE-ja bën thirrje për angazhim në procesin drejt zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri teksa përsëritë se masat shtrënguese ndaj Kosovës mbeten në fuqi, përfshirë këtu pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.
Po ashtu deklarata thekson se BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.
Bashkimi Evropian thekson se pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar.
“Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.
BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu deklarata thekson se BE-ja i jep mbështetjen e plotë Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogn e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Në të kundërtën, potencohet se të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugën e tyre evropiane.
“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. .
BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajčák, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, përfundon deklarata. /Reporteri.net