Mikel Arteta e riktheu Arsenalin te titulli i Premier League pas 22 vitesh pritjeje, por në veri të Londrës tashmë lind pyetja nëse Barcelona mund ta tundojë trajnerin spanjoll të largohet nga “Emirates”.
Arteta është produkt i akademisë së famshme “La Masia” dhe ka mësuar shumë nga Pep Guardiola në aspektin trajneror. Për këtë arsye, lidhja e tij me Barcelonën mund të kthehet në temë diskutimi në të ardhmen.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Ray Parlour, e krahasoi situatën me kohën kur Arsene Wenger lidhej vazhdimisht me Real Madridin. Wenger, gjatë 22 viteve te Arsenali, fitoi tre tituj kampioni dhe udhëhoqi skuadrën e famshme të “Invincibles” në sezonin 2003/04.

Pavarësisht interesimit të Real Madridit, ai qëndroi besnik ndaj klubit londinez deri në largimin e tij në vitin 2018.
Parlour beson se Arteta mund të ndjekë një rrugë të ngjashme. “Mendoj se është pak si rasti i Wengerit. Kishte shumë zëra se ai do të shkonte te Real Madridi, por ishte shumë besnik. Ai e dinte çfarë po përpiqej të ndërtonte te Arsenali. Arteta mund të jetë i ngjashëm”, tha Parlour.
Megjithatë, ai pranoi se askush nuk e di saktësisht çfarë mendon Arteta për të ardhmen. “Ndonjëherë si trajner ke ëndrra. Nëse vjen një mundësi që nuk mund ta refuzosh, duhet të presim e të shohim. Por mendoj se ka ende shumë punë për të bërë te Arsenali, për të luftuar për trofe çdo sezon dhe për të bërë histori me klubin”, shtoi ai.

Kontrata aktuale e Artetës me Arsenalin është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Trajneri spanjoll ka thënë së fundmi se nuk ka ndonjë lajm të ri për rinovimin, pasi fokusi i tij është te fundi i sezonit.
“Jam plotësisht i përkushtuar dhe shumë i lumtur. Ndihem mirë, familja ime është mirë dhe kam ende shumë ambicie me këtë klub. Për momentin jemi në një vend të mirë”, deklaroi Arteta.
Arsenali festoi titullin e Premier League pas fitores në javën e fundit ndaj Crystal Palace, por sezoni ende nuk ka përfunduar. “Topçinjtë” kanë përpara finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain më 30 maj në Budapest, ku do të kërkojnë trofeun e parë në histori në këtë garë. /GazetaExpress/















































