Ballkani ka fituar si mysafir i La Fioritas me rezultat 4-0 në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshja nis shumë mirë për kampionët tanë që kishin raste para porte që në start.
Në minutën e 6-të, ishte Meriton Korenica që me një gjuajtje brenda zonës shënoi për 1-0.
Ermal Krasniqi kishte rast shumë të mirë për ta dyfishuar epërsinë, por nuk ishte i saktë edhe pse në pozitë të mirë.
Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë, ku Albion Rrahmani ishte i saktë në minutën e 23-të.
Ballkani ka mundur ta rrit epërsinë, por nga rastet ideale Krasniqi, Nazmi Gripshi dhe Korenica nuk ishin të saktë.
Kampioni i Kosovës edhe në pjesën e dytë nuk e largoi këmbën nga gazi, duke sulmuar portën e skuadrës nga San Marino.
Dysha që shënuan dy golat e parë, Korenica dhe Rrahmani ishin protagonist edhe në minutën e 50-të.
Gjuajtja e Korenicës goditi shtyllën, ndërsa nga topi i kthyer Rrahmani shënoi për 3-0.
Ballkani kishte edhe raste të tjera, sidomos me Ermal Krasniqin i cili nga pozicione të mira nuk shënoi.
Goli i katërt dhe i fundit në ndeshje erdhi në minutën e 73-të, kur Albin Beisha vrapoi i vetëm me portierin dhe arriti të shënojë për 4-0.
Sikur Qëndrim Zyba dhe Leonit Abazi të ishin të saktë, rezultati ka mundur të jetë më i thellë.
Ballkani me këtë fitore thuajse ka kaluar në raundin tjetër. /Telegrafi/