Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se dje nisi takimet konsultative me partitë e tjera për të gjetur rrugëdalje për formimin e institucioneve. Të parin e realizoi me kreun e PDK’së, Bedri Hamza, si partia e dytë pas Vetëvendosjes, si dhe të dytin me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku, si partia e tretë me numër të deputetëve në Kuvend. Ardian Gjini i AAK’së përmes një letre i tha se s’e sheh të nevojshëm takimin meqë ia ka bërë gjashtë kërkesa për t’ia dhënë 7 votat për President pa kërkuar asgjë për partinë e tij. Si i shkuan takimet Kurtit dje?
Gazeta Express
Kryetari i Vetëvendosjes dje shfaqi më shumë optimizëm e gatishmëri për të ndarë me publikun atë që ndodhi brenda takimeve. Sikurse takimin me Hamzën ashtu edhe atë me Abdixhikun, Kurti i përshkroi si takime që kaluan në atmosferë konstruktive.
“Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara. Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim”, i përmblodhi të dy takimet Kurti me një postim në Facebook.
Takimi me Hamzën
Kryetarii PDK’së, Bedri Hamza, doli i pari nga takimi me Kurtin, që u zhvillua në hapësirat e Kuvendit. Ai prerazi tha se partia e tij qëndron në opozitë këtë mandat, ndërsa i uroi sukses Kurtit për negociatat me partitë e tjera.
“Bazuar në bisedat që kemi pasë dhe diskutimet që kemi pasë, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.
Pas Hamzës doli Kurti, i cili foli pak për takimin e më shumë për përgjegjësinë e përbashkët për zgjedhjen e Presidentit.
“Me kryetarin Hamza u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve meqenëse është edhe subjekti i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje si fituese. E falënderoj kryetarin Hamza për këtë takim, i cili ishte takimi i parë dhe konstruktiv që kaloi në atmosferë të vullnetit të interesimit për t’i dhënë institucione të reja Republikës së Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit. Aktualisht s’mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur, që do të mund ta ndaja me publikun”.
Kurti më pas kërkoi që “kjo frymë të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese t’i konstituojmë institucionet”, ndërsa shtoi se “vullneti është aty” dhe se “atmosfera konstruktive duhet të vijojë të mbizotërojë”.
“Nëse unë si fitues i zgjedhjeve, si kryetar i Vetëvendosjes, kam përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Zgjedhja e presidentit është menduar që të ndodhë me një bashkëpunim me të tjerët”, tha Kurti.
Takimi me Abdixhikun
Dëshira që konstruktiviteti të vazhdojë iu plotësua Kurtit edhe në takimin me kryetarin e LDK’së, i cili në takim shkoi i shoqëruar me kandidaten e partisë së tij për presidente, Vjosa Osmani.
Të dy liderët, që folën për gazetarët pas takimit, thanë se janë për të shmangur zgjedhjet e reja, ndërsa Kurti foli për një marrëveshje politike përmes së cilës do ta përmbushnin këtë qëllim.
“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim me ju, së bashku, këtu. Unë jam optimist për rrugën përpara. Jam me shpresë që racionaliteti i cili po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Prandaj po theksoj se është takimi i parë, meqë do të ketë edhe takime të tjera. Në njërën anë diskutojmë koncepte e parime dhe në anën tjetër, gjithashtu, edhe orare dhe funksione. Prandaj është një ndërmarrje e madhe, e gjerë, e cila kërkon besim e mirëbesim dhe e cila kërkon kohë për realizim”, tha ai.
Ndërkaq, Abdixhiku, tha se “në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangen së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë”.
“LDK-ja kërkon stabilitet institucional dhe patjetër balancë demokratike, në të cilën të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”.
Kushtet e Kurtit për Presidentin
Shefi i Vetëvendosjes s’pati asnjë mëdyshje për votat që i duhen për formimin e Qeverisë meqë llogariti me bindje të plotë në ato të deputetëve nga pakicat joserbe. Për këtë e mori përgjegjësinë e plotë për formimin e Qeverisë. Por, për Presidentin ai kërkoi të maksimalizojë sa më shumë votat për Presidentin. Duke llogaritur në ato të PDK’së e LDK’së, Kurti tha se janë 93 vota, që janë më së të mjaftueshme për zgjedhje të Presidentit.
Prandaj, ai tha se Presidenti duhet të jetë konsensual.
Për Kurtin Presidenti duhet një figurë konsensuale, “të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit”.
Ngjashëm kishte deklaruar Kurti edhe kur kishte propozuar Feride Rushitin para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të qershorit.
I pyetur pas takimit me Abdixhikun nëse do t’ia jepte këtë post ish-presidentes Osmani, Kurti nënkuptoi se ky opsion s’bëhet.
“Besojmë që fryma e germa e Kushtetutës është për President që është shprehje e unitetit të popullit dhe që në këtë kuptim duhet të jetë konsensual. Jemi të interesuar që ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që qëndrojnë në sallë. Sepse e keni parasysh, ne mund të zgjedhim ndonjë emër të përveçëm, e kishim së fundmi Glauk Konjufcën, pastaj edhe doktoreshën Feride Rushiti, por numri 80, që është minimumi, është vështirë i arritshëm, prandaj përqendrimi ynë s’ka qenë tash te emrat e përveçëm për President, por për koncept e parime dhe vizionin përpara në njërën anë dhe në anën tjetër, a thua se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve që duhet të kalojnë ose së paku të jenë 2/3 kur të vijë dita e zgjedhjes së Presidentit”.















































