Abdixhiku takon kryesinë e LDK’së një ditë pasi u dakordua me Kurtin për kandidaturën e Bekim Sejdiut

0
25

Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës po nis një mbledhje e Kryesisë, një ditë pas marrëveshjes që e arritën kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të vendit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku do ta mbajë një mbledhje edhe me Grupin Parlamentar.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, tha para nisjes së mbledhjes së Kryesisë se nuk e konteston figurën e Bekim Sejdiut, por se do të duhej që emri i tij të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu tha se Sejdiu i ka “të gjitha cilësitë” për të qenë President.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i pyetur dje nëse do ta votojë Sejdiun për President, iu përgjigj shkurt Gazetës Express: “JO”. Më pas shkroi në një postim në Facebook se “nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”. Tha se “Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikues” dhe se kjo kandidaturë “nuk e përmbush këtë kriter”.

Pasi njoftoi për marrëveshjen me Kurtin, Abdixhiku shkroi dje në Facebook se “LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”.

LVV-ja i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Me 11 deputetët e minoriteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, bëhen 82 deputetë, mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit. Por, sikurse Hoti, në LDK ka edhe disa deputetë të tjerë që janë shumë të zëshëm kundër LVV-së dhe të cilët madje kanë kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë. Ata mund të mos binden të marrin pjesë në votim.

Kreu i LDK-së tha dje se me LVV-në bënë një “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, duke u dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President.

Abdixhiku kërkoi që tani “pa vonesa” të konstituuohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria e re dhe Presidenti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here