Zyrtari i paraburgimit dyshohet se kërcënoi policin për një gjobë trafiku në Prizren, Prokuroria nis hetimet

0
36

Një incident që përfshin dy zyrtarë publikë është raportuar në Prizren, ku një zyrtar policor ka denoncuar se është kanosur nga një zyrtar i Qendrës së Paraburgimit, për shkak të një gjobe të shqiptuar disa ditë më herët.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku polici A. K, ndonëse jashtë detyrës zyrtare, ka kërkuar ndërhyrjen e kolegëve të tij pasi dyshohet se është kërcënuar nga F. Xh.

Sipas të dhënave fillestare, pas paraqitjes në Stacionin Policor dhe intervistimit të palëve, është konstatuar se bëhet fjalë për një kanosje verbale, e cila dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një tikete trafiku të shqiptuar ndaj të dyshuarit ditë më parë.

Rasti ka aktivizuar hetuesit e Stacionit Policor në Prizren, si dhe Njësinë Rajonale të Hetimeve, ndërsa për zhvillimet është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Sipas burimeve të Sinjalit, pas pranimit të informatave dhe veprimeve fillestare hetimore, Prokurori kujdestar ka urdhëruar që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt.

Në ditët në vijim, hetuesit pritet të sigurojnë dhe analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes dhe objektet përreth, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të incidentit.

Rasti po hetohet si “Kanosje ndaj personit zyrtar”./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here