VV në Prizren: Pushteti i PDK-së po vazhdon me shkelje ligjore

0
536

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj dy drejtorëve komunal, Çelë Lamajt, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Islam Ukajt, drejtor i Drejtorisë së Inspektoriateve në Komunën e Prizrenit, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ky subjekt politik ka kërkuar nga organet e hetuesisë të fillojnë me hetimet, ndërsa përgjegjësit e këtyre shkeljeve të japin llogari dhe të dënohen sipas ligjit.

“Partia në pushtet duke mos respektuar ligjet dhe rregullat në fuqi, në maj të këtij viti kishte nisur asfaltimin e rrugës së Unazës së Parë të Qytetit të Prizrenit. Punimet kanë filluar qysh atëherë por ende nuk janë kryer në tërësi, sepse nuk kishte projekt detajues dhe leje ndërtimore, duke mos u pajisur kështu me pëlqimet dhe lejet e nevojshme, të cilat kërkohen në bazë të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Ndërtim”, thuhet në komunikatën e VV-së në Prizren.

Kjo unazë sipas VV-së, ende papërfunduar dhe në disa vende me asfalt të dëmtuar, ishte promovuar me pompozitet edhe nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe zyrtarë të shumë partiak të PDK-së.

“Kryerja e punimeve në këtë formë, në kundërshtim me ligjet, ka edhe pasoja financiare për taksapaguesit prizrenas. Kjo tregon që PDK-ja në Prizren, nuk ka marë mësim nga vitet 2007-2017, kur kishte qeverisur me Prizrenin, por ende vazhdon avazin e vjetër duke ushtruar kompetencat lokale në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kjo qeverisje në secilën sferë të jetës komunale po vepron në këtë formë, duke shkelur ligjet e rregulloret në fuqi, mirëpo siç e dimë kjo formë e punëve shkelë e shko sa për t’u dukur, ka shkaktuar dëme të mëdha financiare në komunën tonë”, thuhet tutje në komunikatën e Qendrës së VV-së në Prizren.

Sipas VV-së qeverisja komunale në Prizren, nuk kanë respektuar ligjet në fuqi lidhur me Qendrën Historike të Prizrenit, duke dëmtuar këtë zonë të qytetit që mbrohet me ligj të veçantë.

Leave a Reply