Kombëtarja shqiptare do të zbresë sonte përsëri në fushën e blertë.
Kuqezinjtë do t’i bëjnë konak Ukrainës në ndeshjen e fundit të Grupit 1 të Ligës B në Ligën e Kombeve.
Trupa e trajnerit Sylvinho është e vendosur për t’i mposhtur ukrainasit në stadiumin “Air Albania”.
Mirëpo, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për ta për ta rrëmbyer vendin e parë në tabelë, shkruan “Gazeta Express”.
Barazimi i së shtunës me Republikën Çeke ua ka vështirësuar punët Kuqezinjve, të cilët e shohin veten në vendin e tretë në grup me 7 pikë, por vetëm një më pak se liderët çekë.
E sonte, krahas fitores ndaj Ukrainës, Shqipëria duhet të shpresojë në një barazim në duelin tjetër të grupit mes Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Me këtë rast, shqiponjat do ta merrnin vendin e parë në grup.
Në të kundërtën, nëse Shqipëria përfundon në vendin e tretë në grup, do të luajë në play-off për të qëndruar në këtë ligë.
Dhe, një përballje të tillë mund ta kenë pikërisht me Kombëtaren e Kosovës, e cila si e dyta në grup do ta kërkojë inkuadrimin në Ligën B përmes duelit me të tretin e grupit në këtë ligë.
Krahas Shqipërisë, Kosova mund përballet me Gjeorgjinë, Ukrainën, Irlandën, Slloveninë, Uellsin ose Islandën.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të luhet sonte në Tiranë duke filluar nga ora 20:45.