Shefi i Zyrës së Prokurimit në Prizren lirohet nga akuza për korrupsion

0
286

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim lirues për Isa Osmankaj, shef i Zyrës për Prokurim në Komunën e Prizrenit, i cili po akuzohej për korrupsion.

Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skender.

Sipas arsyetimit të shkurtër të  kryetares së trupit gjykues, Ajser Skenderi, pas analizimit të provave të paraqitura nga palët në këtë gjykim, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertizës së ekspertit, gjykata gjeti se Isa Osmanaj është i pafajshëm nga akuza për korrupsion.

Kjo ngase, sipas gjykatëses Skenderi, nuk janë krijuar elementet esenciale të veprës penale, pasi që prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë se cilat kompetenca dhe detyra i ka tejkaluar i akuzuari, cili është dëmi material që i ishte shkaktuar operatorit ekonomik dhe se në aktakuzë fare nuk kishte pasur të dëmtuar dhe se nëse kishte pasur dëm, ishte dashur që të vërtetohej edhe lartësia e atij dëmi.

Tutje, gjykatësja tha se prokuroria nuk kishte arritur që të vërtetojë se kontrata është zbatuar me vendim të këtu të akuzuarit, e që sipas OSHP-së kontrata ishte zbatuar me vendimin e Kryetarit të Komunës.

Po ashtu,  në arsyetim thuhet se prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë dashjen e drejtpërdrejtë në veprimet e të akuzuarit Isa Osmankaj.

Gjykata i njoftoi palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 19 prill 2019, Isa Osmankaj akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai ngarkohej se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari veproi në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga OSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast OSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bën njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga OSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jofitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI&BOJA&DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OSHP-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.

Me këto veprime, ai ngarkohej se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet ./BetimipërDrejtësi

Leave a Reply