Urinimi është një proces i zakonshëm për të gjithë, por shpeshtësia me të cilën një person shkon në tualet mund të ndryshojë ndjeshëm.
Disa njerëz zgjohen disa herë gjatë natës për të urinuar, ndërsa të tjerë mund të kalojnë një pjesë të madhe të ditës pa pasur nevojë të shkojnë në tualet.
Sipas Hamid Abboudi, urolog konsulent në New Victoria Hospital, shpeshtësia e urinimit ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë konsumimin e çajit, kafesë, alkoolit dhe pijeve të gazuara.
Këto mund ta bëjnë fshikëzën më aktive dhe të shtojnë nevojën për urinim.
Po ashtu, infeksionet urinare, disa probleme të prostatës ose fshikëzës, skleroza multiple, goditjet në tru, gjinia dhe shtatzënia mund të ndikojnë në zakonet urinare.
Megjithatë, një nga faktorët kryesorë është mosha.
“Gjatë jetës së një personi ka gjasa të ndodhin disa ndryshime në zakonet e urinimit”, shpjegon Abboudi.
Fëmijët: 6 deri në 14 herë në ditë
Fëmijët e vegjël mund të urinojnë nga tetë deri në 14 herë në ditë, ndërsa tek fëmijët më të rritur kjo zakonisht bie në rreth gjashtë deri në 12 herë.

Nëse një fëmijë urinon shumë më shpesh se kaq, mund të ketë disa shpjegime të mundshme.
Ndër to përfshihen ankthi, konsumimi i kafeinës, kapsllëku, alergjitë ndaj disa ushqimeve, mbajtja e urinës për një kohë të gjatë, kapaciteti i vogël i fshikëzës ose, më rrallë, ndryshime strukturore të fshikëzës apo uretrës.
Kafeina mund të rrisë prodhimin e urinës dhe të shkaktojë kontraktime të fshikëzës, ndaj mund ta shtojë ndjeshëm shpeshtësinë.
Adoleshentët: rreth 4 deri në 6 herë në ditë
Adoleshentët zakonisht urinojnë rreth katër deri në gjashtë herë në ditë.
Gjatë pubertetit kjo shifër mund të rritet përkohësisht si pasojë e ndryshimeve hormonale.
Sipas urologut, në shumicën e rasteve nuk ka arsye për shqetësim dhe situata mund të normalizohet vetvetiu.
Megjithatë, nëse urinimi i shpeshtë vazhdon për një periudhë të gjatë, duhet të merret parasysh mundësia e problemeve të tjera, si infeksionet e traktit urinar, diabeti ose konsumimi i tepërt i kafeinës.
Në raste shumë më të rralla, ndryshimet e vazhdueshme urinare mund të kërkojnë hetime për probleme më serioze të fshikëzës.
Të rriturit nën 60 vjeç: rreth 6 deri në 9 herë në ditë
Për shumicën e të rriturve konsiderohet e zakonshme të urinojnë rreth pesë deri në tetë herë gjatë ditës dhe, në varësi të rrethanave, një herë gjatë natës.
Megjithatë, frekuenca ndryshon nga personi në person.
Sipas Abboudit, gratë priren të urinojnë disi më shpesh se burrat.
Një studim i cituar prej tij ka gjetur një mesatare prej rreth 5.6 herësh në ditë te gratë dhe 4.8 herësh te burrat.
Shtatzënia mund ta shtojë ndjeshëm shpeshtësinë e urinimit, pasi mitra dhe fetusi ushtrojnë presion mbi fshikëzën.
Edhe infeksionet urinare, të cilat janë më të zakonshme te gratë, mund të shkaktojnë nevojë të shpeshtë dhe urgjente për të urinuar.
Mbi 60 vjeç: deri në rreth 10 herë në ditë
Me kalimin e moshës, shumë njerëz e kanë më të vështirë ta mbajnë urinën për periudha të gjata.
Funksioni i veshkave ndryshon gradualisht dhe muskujt e fshikëzës mund të dobësohen.
Urinimi gjatë natës, i njohur si nokturi, gjithashtu bëhet më i zakonshëm.
Sipas NHS-së, personat e moshuar mund të zgjohen edhe dy herë gjatë natës për të urinuar.
Një nga arsyet është ndryshimi në prodhimin e hormonit antidiuretik, ADH, i cili ndihmon në rregullimin e sasisë së ujit që trupi eliminon.
Edhe ilaçet mund ta rrisin shpeshtësinë
Personat më të moshuar kanë gjithashtu më shumë gjasa të përdorin barna diuretike për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut, insuficiencës kardiake ose problemeve të tjera.
Këto ilaçe rrisin prodhimin e urinës dhe, si rrjedhojë, mund të çojnë në vizita më të shpeshta në tualet.
Tek burrat, një tjetër faktor i zakonshëm është zmadhimi i prostatës.
“Me kalimin e moshës, prostata zmadhohet dhe mund të ushtrojë presion mbi fshikëzën, duke rritur numrin e herëve që një burrë urinon”, shpjegon Abboudi.
Nuk ekziston një numër perfekt për të gjithë
Shifrat sipas grupmoshave janë vetëm orientuese.
Sasia e lëngjeve që pini, temperatura, aktiviteti fizik, ilaçet, sëmundjet kronike dhe mënyra e jetesës ndikojnë të gjitha në shpeshtësinë e urinimit.
Më e rëndësishme se vetë numri është të vini re ndryshime të papritura nga rutina juaj normale.
Nëse filloni papritur të urinoni shumë më shpesh, zgjoheni vazhdimisht gjatë natës, keni dhimbje ose djegie, gjak në urinë apo vështirësi për të zbrazur fshikëzën, këto simptoma nuk duhet t’i atribuohen vetëm moshës dhe këshillohet vlerësim mjekësor./Express















































