Rrahu bashkëshorten dhe e kërcënoi me vrasje, një muaj paraburgim të pandehurit në Prizren

0
247
Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet E.E., pasi dyshohet për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘kanosja’.

Gjykata njofton se më 14 gusht, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, i pandehuri me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore.

“…në atë mënyrë derisa e dëmtuara ishte kthyer në shtëpi, i pandehuri e kap për flokë dhe ia shtrëngon krahun duke e tërhequr zvarrë për flokë e për krahu e duke i thënë fjalë ofenduese “dil nga shtëpia” dhe vazhdon me ofendime, me të cilat veprime e dëmtuara pëson lëndime trupore të përshkruara sipas raporteve mjekësore”, thuhet në komunikatën për media.

“Se nga data 14 gusht e në vazhdimësi i pandehuri E.E., e kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarës “kam me të mbyt ty dhe vëllain, kam me ia q.. nënën, me mua nuk e keni lehtë dhe nuk ka me ju dal mirë” me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri”.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”.

“Duke marrë parasysh faktin se procedura hetimore është në fazën fillestare, në vazhdimësi duhet të merren edhe prova tjera me qëllim të zbardhjes së rastit, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit me qëllim që të parandaloj pengimin e rrjedhës së hetimit, dhe ndikimit në prova apo deklarata të dëshmitarëve”.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në këtë fazë, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, dhe zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/

Leave a Reply