Richarlison hyri në historinë e Tottenham Hotspur duke shënuar golin e 2,000-të të klubit në Premierligë gjatë humbjes 2-1 ndaj Chelsea të martën në “Stamford Bridge”.
Sulmuesi brazilian realizoi pak më shumë se 15 minuta para fundit të ndeshjes, duke reaguar më shpejt pas një asistimi me thembër nga Pape Matar Sarr dhe për një moment riktheu shpresat e Spurs për përmbysje, pasi skuadra ishte në disavantazh 2-0.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së këtij momenti historik, londinezët nuk arritën të gjenin golin e barazimit në minutat e mbetura.
Tottenham Hotspur u bë vetëm klubi i gjashtë që arrin shifrën e 2,000 golave në Premier League që nga themelimi i kompeticionit në vitin 1992.
Golin e parë të Tottenhamit në Premier League e kishte shënuar Gordon Durie në barazimin 2-2 ndaj Crystal Palace në gusht të vitit 1992, ndërsa golat jubilarë të 500-të, 1,000-të dhe 1,500-të u realizuan nga Les Ferdinand, Jermain Defoe dhe Juan Foyth.
Goli i Richarlison vazhdoi gjithashtu sezonin e tij pozitiv individual, pasi ky ishte goli i tij i 12-të në të gjitha garat dhe i 11-ti në Premier League, duke barazuar sezonin e tij më produktiv me Tottenhamin.
Në total, braziliani tashmë numëron 75 gola në karrierën e tij në Premier League.















































