Të rinjtë që përdorin cigare elektronike mund të kenë më shumë gjasa të përballen me probleme të frymëmarrjes, vështirësi të shëndetit mendor dhe një sërë shqetësimesh të tjera shëndetësore, paralajmërojnë ekspertët.
Një analizë e gjerë shkencore sugjeron gjithashtu se përdorimi i vape-ve mund të shërbejë si një “urë” drejt duhanpirjes tradicionale, në vend që t’i largojë adoleshentët nga cigaret.
Rreth 5.5 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar besohet se përdorin cigare elektronike, ndërsa ekspertët kanë ngritur vazhdimisht shqetësime se paketimet me ngjyra dhe shijet e ëmbla i bëjnë këto produkte veçanërisht tërheqëse për të rinjtë.
Sipas disa vlerësimeve, afro një milion të rinj të moshës 11 deri në 17 vjeç në Britani e kanë provuar të paktën një herë vape-n.
Mjekë nga Royal College of Paediatrics and Child Health (RCPCH) analizuan 81 studime që kishin shqyrtuar ndikimin shëndetësor dhe social të cigareve elektronike te fëmijët dhe të rinjtë.
Gjetjet, të publikuara në revistën “Archives of Disease in Childhood”, u cilësuan si shqetësuese. Studiuesit theksuan se, edhe pse përdorimi i vape-ve konsiderohet më pak i dëmshëm se pirja e cigareve tradicionale, kjo nuk do të thotë se ato janë të padëmshme.
Lidhje me kollën, gulçimin, ankthin dhe depresionin
Sipas analizës, përdorimi i cigareve elektronike është shoqëruar me probleme të frymëmarrjes, përfshirë fishkëllimën në gjoks dhe kollën.
Studiuesit gjetën gjithashtu lidhje me ankthin, depresionin dhe çrregullimet e panikut.
Në disa studime u raportuan edhe probleme me gjumin, shqetësime të syve dhe probleme të shëndetit oral, si inflamacion, ulcera dhe tharje të gojës.
Autorët theksojnë se këto janë kryesisht lidhje të vërejtura në studime dhe jo gjithmonë prova se vape-t janë shkaku i vetëm i këtyre problemeve.
Shqetësime edhe gjatë shtatzënisë
Raporti ngriti shqetësime edhe për foshnjat e nënave që kishin përdorur cigare elektronike gjatë shtatzënisë.
Në disa nga studimet e përfshira u raportuan më shumë reflekse jonormale dhe një zhvillim më i ulët motorik te foshnjat e ekspozuara ndaj vape-ve në mitër.
Gjithashtu u vu re se disa prej këtyre foshnjave shtonin më pak peshë.
“Ky rishikim gjithëpërfshirës nxjerr në pah rreziqet që po shfaqen nga përdorimi i cigareve elektronike te fëmijët dhe të rinjtë”, shkruajnë autorët.
Profesori Will Carroll, një nga bashkautorët, tha se përdorimi i vape-ve nuk duhet të konsiderohet si një pjesë e padëmshme e rritjes.
Ai shtoi se analiza gjeti lidhje të qarta mes përdorimit të cigareve elektronike nga të rinjtë dhe kalimit të mëvonshëm te cigaret tradicionale.
Vape-t janë më pak të dëmshme se cigaret, por jo pa rrezik
Numri i personave që përdorin cigare elektronike në Britani e ka kaluar së fundmi numrin e duhanpirësve.
Megjithëse si cigaret tradicionale, ashtu edhe shumica e vape-ve përmbajnë nikotinë, mënyra se si funksionojnë është shumë e ndryshme.
Cigaret djegin duhanin dhe çlirojnë mijëra substanca kimike, përfshirë katranin dhe monoksidin e karbonit. Shumë prej tyre janë të njohura për efektet kancerogjene.
Pirja e duhanit është përgjegjëse për më shumë se 60 për qind të rasteve të kancerit të mushkërive në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa kjo sëmundje shkakton rreth 33 mijë vdekje çdo vit.
Cigaret elektronike përdorin një pajisje me bateri që ngroh një lëng, zakonisht me nikotinë, duke prodhuar një aerosol që thithet.
Ato i ekspozojnë përdoruesit ndaj më pak substancave të dëmshme sesa cigaret tradicionale dhe për këtë arsye konsiderohen dukshëm më pak të rrezikshme për duhanpirësit e rritur që kalojnë plotësisht te vape-t.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk i bën ato të sigurta.
NHS deklaron se përdorimi i cigareve elektronike është “më pak i dëmshëm se pirja e duhanit”, por shton se nuk është plotësisht i padëmshëm dhe se efektet afatgjata ende nuk njihen plotësisht.
Afro një në pesë të rinj i ka provuar
Sipas organizatës Action on Smoking and Health (ASH), rreth 19 për qind e të rinjve të moshës 11 deri në 17 vjeç në Britani, ose afro një milion persona, e kanë provuar cigaren elektronike.
Autoritetet britanike kanë ndërmarrë një sërë masash për të ulur tërheqjen e këtyre produkteve te fëmijët dhe adoleshentët.
Masat përfshijnë kufizime në reklama, paketim dhe në mënyrën se si emërtohen dhe promovohen shijet.
Qeveria ka njoftuar gjithashtu plane për paketime më të thjeshta dhe rregulla që do t’i detyrojnë prodhuesit të heqin emërtimet tërheqëse të frymëzuara nga ëmbëlsirat, desertet dhe pijet alkoolike, duke përdorur përshkrime më të zakonshme, si për shembull “mollë”.
Profesori Carroll e mirëpriti këtë qasje, por kërkoi masa edhe më të forta.
“Si pediatër, i bëjmë thirrje qeverisë të shkojë më tej dhe të kufizojë vetë llojet e shijeve që mund të shiten, jo vetëm emërtimet e tyre”, tha ai.
Drejtoresha ekzekutive e ASH, Hazel Cheeseman, theksoi se cigaret elektronike vazhdojnë të jenë një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar duhanpirësit e rritur të lënë cigaren, por kërkoi kontrolle të forta mbi marketingun dhe promovimin e tyre për të reduktuar përdorimin nga të rinjtë.
Një zëdhënës i Departamentit britanik të Shëndetësisë deklaroi se fëmijët nuk duhet të përdorin cigare elektronike dhe se të dhënat e reja tregojnë vetëm disa nga rreziqet e mundshme.
Autoritetet kanë ndaluar tashmë vape-t njëpërdorimëshe dhe kanë miratuar masa për ndalimin e reklamimit dhe sponsorizimit, ndërsa po shqyrtojnë edhe kufizime të mëtejshme për paketimet që mund të tërheqin fëmijët./Express















































