Pse mjekët ngulmojnë në mbajtjen e syzeve të diellit

0
214

Dr. Dave dhe Dr. Cheryl, dy mjekë amerikanë kanë folur mbi rëndësinë e mbajtjes së syzeve të diellit, sidomos gjatë stinës së verës, në të cilën rrezatimi diellor është më i fortë dhe dita është më e gjatë. Përveç faktit që syzet e diellit janë një aksesor në modë gjatë verës, ekzistojnë arsye të tjera mjekësore dhe estetike se pse duhet t’i mbani ato.

Ja disa prej arsyeve të renditura nga mjekët më sipër:

Parandalojnë kancerin e qepallave

Ekzistojnë dy forma të shpeshta të kancerit të qepallave, karcinoma e qelizave bazale dhe karcinoma e qelizave skuamoze, të cilat përbëjnë 5-10% të totalit të karcinomave të lëkurës. Ato vihen re më tepër tek personat që kanë ekspozim të zgjatur pa mbrojtje në diell. Gjithashtu, syzet e diellit mbrojnë edhe nga melanoma, kanceri që e merr origjinën kryesisht nga nishanet dhe mund të jetë tepër vdekjeprurës për shkak të aftësisë tepër të lartë të tij për të dhënë metastaza në distancë, pra edhe në organet e tjera.

Mbrojnë retinën

Retina është shtresa më e thellë, në të cilën projektohen imazhet që ne shohim dhe më pas dërgohen me nervin optik në qendrën e të parit në tru dhe ne arrijmë të kuptojmë imazhin që shohim. Fuqia pamore e retinës bie me kalimin e moshës 60 vjeçare, por një studim në SHBA ka zbuluar se kjo fuqi pamore dobësohet akoma më tepër në rastet e ekspozimeve të zgjatura në diell. Retina pëson në këto raste degjenerim makular (makula është pjesa e retinës ku bëhet fokusimi maksimal i imazhit).

Parandalon prekjen nga katarakti

Katarakti është sëmundja e syrit që shoqërohet me trashje të kristalinit. Ai shpesh çon edhe në verbim, duke qenë se kristalini është një nga elementët e fokusimit të imazhit në retinë. Mendohet se rrezet ultraviolet të diellit janë kontribuese në shfaqjen e një sëmundjeje të tillë. Edhe pse në kohët e sotme ai kurohet me kirurgji, sërish të gjithë e dimë se është më mirë të parandalosh, se sa të mjekosh.

Mbron kornenë nga djegia

Një tjetër strukturë e rëndësishme e syrit është kornea, e cila e vesh si një membranë nga jashtë retinën. Ajo mund të “digjet” nga rrezet ultraviolet të diellit, ose të pësojë atë që njihet në mjekësi si keratitis korneal, inflamacion i kornesë. Një palë syze të mira mund ta parandalojnë këtë sëmundje tek njerëzit në mënyrë perfekte.

Mbrojtja nga rrudhat

Përveç arsyeve mjekësore të përmendura më sipër, njerëzit tashmë po bëhen më të ndërgjegjshëm edhe për parandalimin e rrudhave, pasi nuk duan të duken të plakur. Mos mbajtja e syzeve të diellit ju shtyn që gjatë ekspozimeve në diell ju të mbyllni sytë duke krijuar rrudha në cepat e tyre dhe në pjesët anësore të faqeve. Kjo gjë nuk lë shenja gjatë rinisë, por me kalimin e viteve këto rrudha theksohen duke ju shoqëruar gjatë gjithë moshimit tuaj. Mbajtja e syzeve të diellit është një parandaluese shumë e mirë e rrudhave të tilla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here