Ylli i Real Madrid, Kylian Mbappé, ka pësuar një lëndim gjatë barazimit 1-1 ndaj Real Betis të premten mbrëma në “La Cartuja”, ku Héctor Bellerín shënoi golin e barazimit në fund të ndeshjes, duke zbehur edhe më shumë shpresat për titull. Sulmuesi francez ishte vetë ai që kërkoi zëvendësimin, pa u bërë e qartë çfarë kishte ndodhur.
Rreth minutës së 80-të, me Real Madridin në epërsi, Mbappé avancoi nga krahu i djathtë duke kaluar mbrojtësit dhe më pas asistoi për Vinícius Júnior, para se të shtrihej për një moment në tokë. Ai u ngrit shpejt, por menjëherë kërkoi zëvendësim dhe u drejtua drejt tunelit pa u ekzaminuar nga stafi mjekësor.
Pas ndeshjes, trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, nuk dha detaje shtesë për gjendjen e tij.
“Nuk e di, nuk kam ide. Kishte një shqetësim dhe do të shohim si do të zhvillohet në ditët në vijim”, deklaroi ai. “Los Blancos” shpresojnë që kjo të mos jetë një situatë e ngjashme me atë të Arda Güler dhe Éder Militão, të cilët u përjashtuan për pjesën e mbetur të sezonit.
Militão gjithashtu u largua nga ndeshja ndaj Alavés si masë paraprake, përpara se të diagnostikohej me një dëmtim të muskulit të kofshës.
Shpresat janë që Mbappé të ketë kaluar më lehtë, pasi sipas raportimeve të Diario AS dyshohet për një tendosje muskulore. Nëse kjo konfirmohet, ai mund të rikthehet në kohë për ndeshjen ndaj Espanyolit fundjavën e ardhshme dhe për “El Clasico”-n ndaj Barcelonës pas dy javësh.















































