Praktikimi i mirënjohjes mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë, sipas një studimi të ri

0
454

Në jetën e përditshme, shpesh harrojmë të ndalemi për të shprehur mirënjohje, edhe për gjërat më të vogla. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë se mirënjohja ka një ndikim shumë më të madh sesa thjesht përmirësimi i humorit tonë

Një studim i publikuar nga Harvard në shtator 2024 thekson rëndësinë e mirënjohjes, jo vetëm për shëndetin mendor, por edhe për mirëqenien fizike dhe jetëgjatësinë.

Mirënjohja, shëndeti dhe jetëgjatësia

Si mund të ndikojë fuqia e mirënjohjes në jetën tonë? Hulumtimet e fundit tregojnë se mirënjohja sjell një sërë efektesh pozitive për shëndetin, duke përfshirë mirëqenien emocionale dhe shoqërore, rrezik më të ulët të depresionit dhe mund të jetë kontribuues i favorshëm për shëndetin kardiovaskular.

Tashmë, të dhëna të reja nga “Nurses Health Study” tregojnë se mirënjohja mund të zgjasë jetën.

“Mirënjohja ka qenë një nga aktivitetet më të studiuara që kontribuon në mirëqenie, por nuk mundëm të gjenim asnjë studim të mëparshëm që të shqyrtonte efektet e saj mbi vdekshmërinë dhe jetëgjatësinë, për çudi,” – thotë VanderWeele, bashkëautor i kërkimit të ri.

Çfarë shqyrtoi studimi?

I publikuar në korrik 2024 në “JAMA Psychiatry”, studimi i ri u bazua në të dhëna nga 49,275 gra të regjistruara në “Nurses Health Study”. Mosha mesatare e tyre ishte 79 vjeç. Në vitin 2016, pjesëmarrëset plotësuan një pyetësor me gjashtë pyetje mbi mirënjohjen, ku renditën pëlqimin e tyre me deklarata të tilla si: “Kam kaq shumë në jetë për të cilat jam mirënjohëse” dhe “Nëse do të duhej të rendisja gjithçka për të cilën ndihem mirënjohëse, lista do të ishte shumë e gjatë.”

Katër vjet më vonë, studiuesit shqyrtuan të dhënat mjekësore të pjesëmarrëseve për të përcaktuar se kush kishte ndërruar jetë. Kishte 4,608 vdekje nga të gjitha shkaqet, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet respiratore, sëmundjet neurodegjenerative, infeksionet dhe dëmtimet. Vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare – një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve te gratë dhe burrat në SHBA- ishin shkaku më i zakonshëm i vdekjeve.

Çfarë zbuluan studiuesit?

Pjesëmarrëset me pikët më të larta të mirënjohjes kishin 9% më pak rrezik për të ndërruar jetë gjatë katër viteve të ardhshme, në krahasim me ato që kishin pikët më të ulëta. Kjo nuk ndryshoi pasi u morën parasysh gjendja fizike, rrethanat ekonomike dhe aspekte të tjera të shëndetit mendor dhe mirëqenies. Mirënjohja dukej se ndihmonte në mbrojtjen nga çdo shkak i vdekjes, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare.

Por çfarë do të thotë kjo në të vërtetë?

“Zvogëlimi prej 9% në rrezikun e vdekshmërisë është domethënës, por jo i jashtëzakonshëm,” – thotë VanderWeele.

“Ajo që është e jashtëzakonshme te mirënjohja është që kushdo mund ta praktikojë atë. Kushdo mund të vërejë atë që ka rreth vetes dhe të shprehë mirënjohje për atë që është e mirë në jetën e tij”, shton ai.

Ndërkohë që studimi nuk arriti të përcaktojë saktësisht pse mirënjohja lidhet me jetëgjatësinë, VanderWeele beson se disa faktorë mund të kontribuojnë.

“Dimë që mirënjohja bën që njerëzit të ndihen më të lumtur. Kjo, në vetvete, ka një efekt sado të vogël mbi rrezikun e vdekshmërisë,” – thotë ai.

“Praktikimi i mirënjohjes mund të bëjë gjithashtu që dikush të jetë më i motivuar për t’u kujdesur për shëndetin e vet. Ndoshta individët që praktikojnë mirënjohjen kanë më shumë gjasa të paraqiten në vizita mjekësore ose të ushtrohen. Mirënjohja mund të ndihmojë gjithashtu në marrëdhënie dhe mbështetje sociale, që dimë se kontribuojnë në shëndet”, shton më tej.

Cilat janë kufizimet dhe anët e forta të studimit?

Studimi ishte vëzhgues, që do të thotë se nuk mund të vërtetojë se mirënjohja ndihmon njerëzit të jetojnë më gjatë, vetëm se ekziston një lidhje. Grupi i analizuar është pika më e fortë, por edhe kufizim më i madh i këtij kërkimi. Të gjitha pjesëmarrëset ishin gra të moshuara me status të lartë ekonomik dhe shumica dërrmuese ishin të së njëjtës ngjyrë lëkure (të bardhë).

“A është ky efekt jetëgjatësie i vlefshëm edhe për burrat, për të rinjtë dhe për ata me burime më të pakta ekonomike?” – pyet VanderWeele. “Këto mbeten pyetje të hapura”, citon Anabel.

Gjashtë pyetje për të nxitur mirënjohjen

Nuk ndiheni veçanërisht mirënjohës/e sot? Ju keni fuqinë për ta ndryshuar këtë. Pyetjet si më poshtë mund të nxisin mirënjohjen:

– Çfarë ndodhi sot që më ndryshoi ditën për mirë?
– Çfarë po e marr si të mirëqenë, për të cilën mund të jem mirënjohës/e?
– Cilët persona në jetën time janë të rëndësishëm për mua?
– Cili libër, film apo video më ka pëlqyer së fundmi dhe pse?
– Për çfarë jam më shumë në pritje këtë javë, muaj dhe vit dhe pse?
– Cila është gjëja më e mirë që dikush ka thënë apo ka bërë kohët e fundit?

Mirënjohja nuk është vetëm një ndjenjë kalimtare, por një praktikë që mund të ndryshojë rrënjësisht shëndetin dhe jetën tuaj. Të qenit të vetëdijshëm për të mirat që kemi në jetë është një nga mënyrat më të thjeshta për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe për të zgjatur vitet tona. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here