Shqipëria ka përmbushur kushtet për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20 të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që lidhet me politikat për sipërmarrjen dhe industrinë. Ky kapitull përfshin rregullat dhe politikat që ndikojnë te bizneset, investimet dhe zhvillimi i sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
Në dokumentin zyrtar, Bashkimi Evropian konfirmon se Shqipëria ka përmbushur kriterin e fundit për mbylljen e këtij kapitulli. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se puna ka përfunduar. Vendi duhet të vijojë përafrimin e legjislacionit me rregullat evropiane dhe të sigurojë zbatimin e tyre në praktikë.
Një nga fushat kryesore është mbështetja për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë. Bashkimi Evropian vlerëson se Shqipëria është kryesisht e përafruar me politikat evropiane për këto biznese, por kërkon që masat e parashikuara të zbatohen në mënyrë që të rritet produktiviteti dhe të lehtësohet veprimtaria e tyre.
Një tjetër çështje është pagesa në kohë e faturave mes bizneseve. Shqipëria ka përafruar rregullat me ato evropiane për vonesat në pagesa, ndërsa tashmë kërkohet zbatimi i tyre. Për kompanitë, kjo është e rëndësishme për të shmangur vonesat në marrjen e parave dhe për të menaxhuar më mirë aktivitetin e përditshëm.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe investimeve. Shqipëria duhet të përfundojë deri në fund të vitit ligjin për investimet strategjike dhe të miratojë një ligj të unifikuar për investimet, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, për turizmin kërkohet një zhvillim më i qëndrueshëm, me mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe përfitime më të drejtpërdrejta për komunitetet vendase.
Bashkimi Evropian kërkon gjithashtu më shumë transparencë në prokurimet publike, shërbime publike të digjitalizuara dhe masa më të forta kundër korrupsionit dhe ekonomisë informale.
Pra, mbyllja e Kapitullit 20 shënon përmbushjen e një tjetër etape në negociatat e anëtarësimit, por Shqipëria do të vijojë të monitorohet për mënyrën se si i zbaton rregullat europiane në praktikë.
Bashkë me kapitullin 20 tashmë, shkon në 4 numri i kapitujve për të cilat Shqipëria ka mbyllur negociatat, teksa i mbeten edhe 29 kapituj të tjerë për t’u mbyllur brenda afatit që ka përcaktuar vetë vendi ynë dhe BE, i cili është viti 2027.















































