Pacolli del vullnetar për t’ia paguar Xhakës gjobën e mundshme nga FIFA

0
325

Politikani dhe biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli, ka shprehur gatishmërinë e tij për ta paguar gjobën e Granit Xhakës, nëse ndaj tij shqiptohet ndonjë dënim i tillë nga FIFA.

Bazuar në disa raportime, u tha se FIFA mund të ndërmarrë masa ndaj mesfushorit nga Kosova, i cili u shfaq me fanellën e Jasharit pas ndeshjes kundër Serbisë, të cilën Zvicra e fitoi me rezultatin 3:2, shkruan Gazeta Express.

Por, nëse ndaj kapitenit të “Helvetikëve” shqiptohet ndonjë dënim me gjobë, atëherë shlyerja e tij do të bëhet nga Pacolli.

Pacolli bëri të ditur gjithashtu se për këtë e ka njoftuar sot edhe personalisht mesfushorin e Arsenalit.

“Nëse emri Jashari shqetëson FIFA-n apo botën dhe Granit Xhaka dënohet se ka mbajtur pas ndeshjes këtë emër të shenjtë, atë gjobë do ta paguaj personalisht unë, në emër të popullit shqiptar. Këtë ia kam njoftuar sot personalisht edhe Granitit. Tani ecim tutje dhe u urojmë atyre fat të vazhdueshëm kundër Portugalisë”, shkroi Pacolli.

Rreth këtij veprimi, Xhaka kishte thënë se nuk ka asgjë politike, por që e bëri si dedikim për Ardon Jasharin, i cili gjithashtu luan te Zvicra.

“Jo, nuk kishte asgjë politike brenda kësaj. Ishte një referim dhe dedikim për Ardonin, i cili është një i ri që po rritet shpejt, e të cilin e këshilloj shumë dhe që meriton shumë respekt për atë që është duke e bërë”, deklaroi Xhaka në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Lidhur me këtë rast është deklaruar të shtunën edhe Federata e Futbollit e Zvicrës, e cila nuk pret që FIFA të dënojë Xhakën. /Gazeta Express

Leave a Reply