Ozempic/ Këto janë efektet e shumta anësore që shkakton

0
1143

Në një kohë që shkenca dhe teknologjia po përparojnë frikshëm e me shpejtësinë e dritës, rrjetet sociale dhe media e shkruar apo vizive janë duke shpërndarë çdo ditë informacione të ndryshme në lidhje me medikamente të cilat janë duke u përdorur edhe për qëllime të tjera.

Kohët e fundit, besoj të gjithë ju, ose të paktën shumë prej jush kanë parë video ose shkrime të ndryshme në lidhje me medikamentin Ozempic.

Aq shumë u influencua nga mediat dhe rrjetet sociale, sa kompania Novo Nordisk, duke qenë se në disa shtete u bë mungesë, u detyrua të shtojë sasitë e prodhuara, në mënyrë që t’ju vinte në ndihmë atyre që vërtetë kanë nevojë jetike për të, pacientët me diabet të tipit-2.

Ozempic medikamenti i diabetit, që po përdoret gjerësisht

Elon Musk, Kim Kardashian, Robbie Williams, etj, janë disa nga figurat publike, të cilët nuk e kanë shfrytëzuar Ozempic për qëllimin kryesor për të cilin ky medikament është krijuar në fakt. Dhe ishte pikërisht një shprehje e thënë nga ish-pjesëtari i Take That, Robbie Williams, që më bëri të shkruaj për këtë temë.

Ozempic medikamenti i diabetit, që po përdoret gjerësisht

Cituar si ‘Mrekullia e Krishtlindjes’ nga Robbie, Ozempic ka bërë që ai të humbë 23 kg peshë. Por se çfarë është Ozempic dhe cilat janë efektet e tij, po e tregoj më poshtë.

Ozempic dhe Wegovy kanë të dyja si princip aktiv Semaglutide, e cila i përket një klase të medikamenteve, që quhen agonistë të receptorëve GLP-1 (glucagon like peptide-1). Semaglutide në fakt, imiton hormonin GLP-1, që çlirohet në stomak pas ngrënies.

Njëri nga rolet e GLP-1 është stimulimi i prodhimit të insulinës, e cila bën të mundur uljen e nivelit të glukozës në gjak. Pikërisht për këtë arsye, për më shumë se 15 vite, semaglutide është përdorur në mjekësi, në trajtimin e pacientëve me diabet tip-2.

Ozempic medikamenti i diabetit, që po përdoret gjerësisht

Por GLP-1 në sasi më të mëdha ndërvepron gjithashtu në pjesën përgjegjëse të sistemit nervor qendror, e cila redukton oreksin dhe krijon ndjesinë e ngopjes.

Trajtimi i pacientëve me Semaglutide e bën organizmin më të ndjeshëm ndaj insulinës që prodhon vetë ky i fundit. Duke bërë këtë, i ndihmon qelizat dhjamore të trupit të reduktohen me kalimin e kohës.

Por a është i aprovuar nga FDA (Food And Drug Administration) Semaglutide, ose njohur nën emrat tregtarë si Ozempic apo Wegovy, prodhuar nga Novo Nordisk, për qëllime të tjera, si psh humbje në peshë?

Vetëm Wegovy është i miratuar për reduktimin e peshës tek të rriturit mbi 18 vjeç, me indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, ose BMI mbi 27 dhe një sëmundje shoqëruese, si psh presioni i lartë i gjakut ose kolesteroli i lartë.

Përparësia e administrimit vetëm një herë në javë, në kushte shtëpie, si injeksion, ka çuar në shtim të pacientëve diabetikë që e marrin me recetë nga mjeku (e cila është e detyrueshme).

Pyetja që lind natyrshëm tashmë është: nëse ky medikament që i hyn në punë kaq shumë atyre që vërtetë kanë nevojë, si pacientët e diabetit tip-2, mund të shkaktojë efekte anësore tek pacientët që duan t’a përdorin për reduktimin e peshës trupore?

Për t’ju përgjigjur ashtu siç duhet kësaj pyetjeje, po i rikthehemi edhe njëherë funksionit të Semaglutideve, që ka të bëjë në fakt me frenimin e oreksit dhe ‘mashtrimin’ që krijohet në organizëm nga ndjesia e ngopjes. Nëse semaglutidet përdoren ashtu siç duhet, oreksi nuk reduktohet kurrë plotësisht, por arrin të kontrollohet shumë mirë. Por kur përdoren në mënyrë të papërshtatshme, pacienti mund të shkojë deri në çrregullime të pakthyeshme të të ngrënit.

Arsyeja tjetër është që duke qenë një medikament i krijuar për t’u përdorur për një kohëzgjatje të pacaktuar nga pacientët kronikë diabetikë, kur përdoret për qëllime të tjera, si psh për të humbur peshë, në momentin që ndërpritet dhe pacienti rifiton zakonet e të ngrënit si më parë, ai gjithashtu do të rifitojë edhe peshën që humbi gjatë trajtimit.

Efektet anësore janë gjithashtu të shumta. Ato më të zakonshmet janë gastrointestinale, si nauze, të vjella, diarre ose konstipacion. Gjithashtu çrregullimet e të ngrënit, çrregullimet e gjumit, gjendjet anksioze dhe reaksionet alergjike janë shfaqur në shumë pacientë. Efektet anësore më të rralla por më serioze përfshijnë inflamacionin e pankreasit, problemet e

veshkave, fshikëzës së tëmthit, retinopatinë diabetike, aritminë, etj. Kohët e fundit është vënë re edhe ajo që quhet rrudhosja nga Ozempic ose fytyra Ozempic, që përkthehet me pamjen e rrudhosur të lëkurës në mënyrë të menjëhershme nga humbja e madhe dhe e menjëhershme e peshës.

Shqetësimet që shfaqen gjatë trajtimeve me Semaglutide janë të shumta, siç përmenda edhe më sipër. Aq më tepër kur përdoren jo për qëllimin kryesor të tyre; i cili është trajtimi i pacientëve diabetikë. Prandaj, kujdes: Semaglutide (Ozempic, Wegovy, etj) duhet të merret vetëm me recetë mjeku.

Fakti që tashmë ka shumë njerëz që janë të gatshëm t’i nënshtrohen edhe injeksioneve të rregullta në kushte shtëpie dhe efekteve anësore të shumta të këtyre medikamenteve, vetëm për arsye të përshtatjes së standardeve të bukurisë të vendosura vitet e fundit nga industria e modës tregon edhe njëherë rrezikun që mbartet në vazhdim sidomos nga moshat e reja.

Ushqimi i shëndetshëm, dieta e balancuar, aktiviteti fizik, janë ata të cilët përbëjnë thelbin e jetesës së shëndetshme. Vlerësoni anën shëndetësore dhe merrni këshillat e mjekut, sepse janë ato, të vetmet burime të sigurta në lidhje me procesin e humbjes në peshë dhe jo vetëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here