Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës do të merret për pak ditë.
Osmani ka folur në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.
Ajo ka thënë se po pret raportin e institucioneve të sigurisë për situatën në veri.
Ajo ka thënë se do të takohet sot me disa prej institucioneve të sigurisë.
Osmani ka thënë se procedura e do që së pari të bëhet vlerësimi i sigurisë, e pastaj ajo të prezantohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas KQZ-ja do të vendosë nëse duhet shtyrë zgjedhjet.
E nëse vendos këtë atëherë, do të ftohen në Presidencë për diskutim përfaqësuesit e partive politike e do të arrihet një konsensus për vendimin.
Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore është caktuar për 18 dhjetor ndërsa për kuvende komunale më 25 dhjetor.
Në dy ditët e fundit ka pasur hedhje të shokë-bombave e të shtëna në komunat veriore. Këto nisën të martën kur zyrtarët e KQZ-së tentuan që të futen në zyrat e komisioneve zgjedhore komunale.