Nga 1 tetori, familjet që shpenzojnë mbi 800 kw/orë do të paguajnë shumë më tepër

0
352

Tashmë është vendosur. Nga 1 Tetori të gjitha familjet shqiptare që shpenzojnë mbi tavanin 800 kilovat orë energji elektrike në muaj do të paguajnë më shtrenjtë faturën.

Vendimi i cili u bë publik fillimisht në muajin Prill dhe erdhi si masë e qeverisë ndaj rritjes në bursat ndërkombëtare të çmimit të energjisë elektrike që prej fillimit të këtij viti, do të nisë zbatimin nga muaji tetor.

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë për “TV Klan” ditën e sotme ka deklaruar se të gjithë ata abonentë familjarë që harxhojnë nga muaji tetor mbi këtë fashë të vendosur nga qeveria do të paguajnë me çmimin e tregut.

“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Synimi jonë është që të fillojë më 1 Tetor”, u shpreh ministrja, e cila më herët kishte deklaruar se ende nuk ishte vendosur nëse rritja do ishte pas kalimit të fashës 700 kw/orë apo 800 kw/orë, që konsiderohet dhe si konsumi normal i familjeve shqiptare.

Po ashtu nuk kishte as një datë se kur do të niste zbatimin vendimi që mendohej të hynte në fuqi pas muajit shtator.

Por sa do të jetë fatura e re e familjeve që tejkalojnë këtë fashë?

Me çmimin e lartë do të paguhet vetëm diferenca, jo e gjithë vlera e energjisë së shpenzuar.

Kjo diferencë mund të jetë nga 70-80% më shtrenjtë se çmimi që tarifohet aktualisht për konsumatorët, që do të thotë se çdo kilovat orë e shpenzuar mbi sasinë 800 kw do të kushtojë gati dyfish më shtrenjtë.

Kush preket?

Sipas analizave të deritanishme nga kjo rritje pritet të preken të paktën 5% e konsumatorëve që shpenzojnë 25% të konsumit total. Por nuk përjashtohet mundësia që kjo shifër të jetë edhe më e madhe, pasi shumica e familjeve me një konsum minimal energjie në muaj janë shumë pranë këtij pragu.

Qeveria prej kohësh po bën thirrje për kursim të energjisë elektrike, një masë kjo që këtë dimër po ndërmerret edhe nga shumë vende europiane të kërcënuara nga kriza energjetike dhe çmimet e larta të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here