Mungesa e xhirollogarive, lë shumë fëmijë pa shtesa

0
275

Për vonesa në pagesat e shtesave të fëmijëve, janë ankuar disa prindër në Kosovë. Gjetja e bankave me mirëmbajtjen më të lirë të llogarive ka bërë që prindërit të humbin kohë deri në hapjen e llogarisë, e rrjedhimisht edhe humbje të përfitimit të shtesave për fëmijë. Aktualisht këto shtesa i gëzojnë mbi 142 mijë fëmijë dhe mbi 11 mijë lehona.

Nga muaji gusht, qeveria ka nisur me ndarjen e shtesave për fëmijë, 20 euro për ata nën 2 vjeç dhe nga 10 euro për ata që kanë lindur nga 1 janari i vitit 2015 e tutje.

Hapja e xhirollogarive, aplikimi për shtesa, e deri në pranimin e aplikimit, ka bërë që shumë fëmijë të humbasin një pjesë të shtesave që përfitojnë nga shteti.
Një qytetare, nga Gjilani, thotë se ka aplikuar për vajzat e saj, që kanë lindur njëra në korrik 2016 dhe tjetra në dhjetor 2019. Ndonëse nuk deklarohet para mikrofonit, Genta thotë se vajzave të saj u takojnë shtesat nga 10 euro, por siç thotë ajo, në konton e saj për 4 muaj për të dy vajzat i ka marrë vetëm 33 euro.

Një problem tjetër është marrja në mënyrë retroaktive e shtesave të fëmijëve. Sabrija, nga Prishtina, ka lindur djalin e saj në tetor të vitit 2021 dhe me ligj i takojnë shtesat në vlerë prej 20 euro. Por për mungesë të xhirollogarisë dhe problemeve me platformën elektronike, e-Kosova, ajo ka arritur që të aplikojë tani, ndërkohë që përftimi për muajt paraprak i shkon dëm.

Ndërkohë, prindërit presin që të hapen edhe për vitet e tjera sa më shpejt. Bedrija, nga Prishtina, thotë që kjo është një mundësi e mirë për një fond për fëmijët edhe pse është shumë i vogël.

“Unë i kam dy vajza, njëra 11 dhe tjetra 13 vjeçare. Kjo është një ndihmë e vogël sadopak deri në moshën 16 vjeçare me ua dhënë”, tha ajo për Radio Kosovën.

Mbi 142 mijë fëmijë, të lindur në periudhën 2015-2022 janë përfitues të shtesave për fëmijë, dhe mbi 11 mijë lehona. Antoneta Azemi, zyrtare për media në Ministrinë e Financave, thotë për Radio Kosovën se në disa raste kur përfituesit kanë pasur probleme me xhirollogarinë, mjetet janë kthyer në thesar.

“Me numrin e madh të aplikimeve që kemi, ne vërejmë se kjo ka sukses të madh dhe numri i kthimeve është shumë i vogël. Të gjitha mjetet që nuk i pranojnë qytetarët në xhirollogaritë e tyre bankare janë për shkak të problemeve me xhirollogaritë e tyre. Aplikueset nuk i kanë të dhënat e përditësuara në bankë, ose iu figuron mbiemri i vajzërisë përderisa në dokumente e kanë ndërruar, kështu që për shkak të mospërputhjes së të dhënave, mjetet kthehen në thesar, d.m.th bëhet kthimi i mjeteve nga banka”, u shpreh ajo.

Azemi nuk ka specifikuar se kur Ministria e Financave do të fillojë me shpërndarjen e shtesave të fëmijëve për vitet e tjera të lindjes duke thënë se duhet të shohin planin fiskal, edhe pse sipas saj, fëmijët e vitit 2015 kanë filluar t’i gëzojnë këto shtesa para afatit të planifikuar.

Leave a Reply