Mjeku kosovar Arbër Shehu, folës në ceremoninë e diplomimit në JMU, emocionon me fjalimin e tij si i mbijetuar i luftës

0
390

Mjeku nga Kosova, Arbër Shehu, ka arritur majat e suksesit në Amerikë. Nga një i mbijetuar i gjenocidit serb, në një student të shkëlqyer të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, pas punës klinike si mjek në Kosovë, u pranua për të vazhduar studimet postdiplomatike në shkencat mjekësore në Universitetin e James Madisonit, në shtetin e Virginias të ShBA-së.

Pas diplomimit, ai siguroi një pozicion në Universitetin e Johns Hopkins, fakultetin e mjekësisë, në departamentin e sëmundjeve mushkërore dhe kujdesit intensiv, duke menaxhuar dhe koordinuar një laborator të ri të kërkimeve shkencore që u krijua për të kryer hulumtime që u ofron informacion praktikave më të mira mjekëve që trajtojnë COVID-19. Pas punës dhe bashkëpunimeve me shumë qendra tjera spitalore ndërmjet grupit ai punon, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve (QKS) në SHBA, Shehu gjithashtu u bë një nga autorët e një studimi për efektivitetin e vaksinave Pfizer dhe Moderna. Vetëm në vitin e fundit publikuan mbi 10 punime shkencore në revistat prestigjioze botërore, që në mënyrë të vazhdueshme e informuan QKS, Departamentin e Shëndetit dhe Administratën e Presidentit Biden, në lidhje me efektivitetin e vaksinave Covid-19 në parandalimin e hospitalizimit, ventilimit mekanik dhe vdekjes, shkruan KultPlus.

Duke ju referuar jetës së tij në përgjithësi, formimit mjekësor, i kombinuar me përvojën e tij në kryerjen e kërkimeve klinike, Universiteti James Madison, një universitet me traditë të lartë që u themelua në vitin 1908, e ftoi mjekun kosovar për të mbajtur një fjalim inspirues dhe motivues para studentëve të nivelit master dhe të doktoratës.

Kjo paraqitje është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për Shehun pasi që ceremonitë e diplomimit në SHBA kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe gjithmonë në këto ceremoni folësit janë njerëz me ndikim të madh, duke filluar nga presidentët e tutje.

Denze Washington, Steve Jobs e shumë emra të tjerë kanë mbajtur një fjalim të tillë në universitete të ndryshme prestigjioze në SHBA, dhe kjo tashmë është kulturë për të inspiruar gjeneratat e posadiplomuara. James Madison Univerity e nderoi ish studentin e tyre, Arbërin, për të motivuar dhe inspiruar gjeneratën e të posadiplomuarve të vitit 2022 – ku ai me fjalimin e tij përballë 7000 vetave, emocionoi të gjithë.

Sapo doli në foltore, Shehu u mirëprit jashtëzakonisht mirë e ndoshta kjo edhe i ndihmoi të tejkaloj emocionet që padyshim duhet të ishin të mëdha kur je në një vend aq të rëndësishëm.

Mjeku Arbër Shehu e nis fjalimin e tij duke treguar për emocionet pasi mori ftesën që të jetë folës në këtë ceremoni kaq të rëndësishme.

“Disa javë më parë, unë isha në mes të një punimi kërkimor në Hokings kur mora një email nga James Medison për të më pyetur dhe nderuar mua që të jem folës para jush sot. Nuk mund ta besoja, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i nderuar, niveli im i emocioneve preku qiellin. Menjëherë telefonova familjen, çfarë emocioni, fillova të ndjehem në ankth, sepse nuk jam mësuar të flas para një audience kaq të madhe. Çka do të flas, motrat e mia, madje edhe nipi im 5-vjeçar e kuptoi ankthin tim, por, bashkë me këshillën e saj, nëna ime më tha që të jem i qetë. Ajo gjithmonë thotë se kurdo që një gjë e keqe apo e mirë ndodhë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të jemi pozitivë. Ajo më rikujtoi që audienca para të cilës do të flas janë vëllezërit dhe motrat, shokët dhe komuniteti im. Këta janë të njëjtit njerëz që më mirëpritën mua, që i hapën dyert për mua, kur unë isha i huaj këtu”, kështu nisi fjalimin e tij Shehu ku tutje tregoi rrugëtimin e tij drejt diplomimit në vitin 2020 në J.M.U master në shkenca mjekësore dhe pozitës që mori në John Hopkings si hulumtues klinik në laborator.

Në një ceremoni kaq të rëndësishme, Shehu e vazhdoi fjalimin e tij duke folur për vetën, nga vjen dhe si ishte rrugëtimi i tij deri sot. Ai foli për Kosovën, për luftën dhe gjenocidin serb.

“Për ju që nuk më njihni, unë jam një i mbijetuar i gjenocidit serb në Kosovë. Më 25 mars, 1999, forcat serbe sulmuan fshatin tim të fëmijërisë, isha nëntë vjeçar, na morën bashkë me prindërit dhe motrat e mia më të reja së bashku me grupin që ishin rreth 400 shqiptarë të Kosovës që do t’i ekzekutonin. 25 marsi, 1999 ishte dita e fundit kur e pashë për herë të fundit babanë tim. Më nuk i pashë edhe 113 burra të tjerë, por e di që vuajtën njësoj si babai im. Ata u vranë brutalisht dhe u djegën në vend përderisa pjesa e mbetur prej nesh ikëm nga malet. Nëna, motrat e mia dhe unë udhëtuan me javë për të gjetur një vend të sigurt. Më kujtohet ajo ditë sikur të ishte sot, ditën kur mrekullisht ikëm, dita kur fëmijëria ime u vodh. Mu desh të mësoja se si të marr përgjegjësi për familjen, pjesëtarët të cilët i mbijetuan kësaj tragjedie, nuk kisha zgjidhje tjetër”, rrëfen Shehu para të pranishmëve.

Ai tutje tregoi se ishin pikërisht ato ditë që shtruan vizionin dhe qëllimin e tij për jetën.

“Do të doja që edhe ju ta adoptoni këtë vizion, të luftoni për paqe, të ndihmoni njerëzit në nevojë dhe të frymëzoni një botë më të shëndetshme. Kur i shoh shokët e mi evropianë që po vuajnë në Ukrainë, më thyhet zemra, më dërgon pas në ditët e mia të fëmijërisë kur njerëzit në Kosovë patën fatin e njëjtë. Si sot, pas në kohë ishte Aleanca e NATO-s e udhëhequr nga U.S.A që ndalën agresivitetin serb në Kosovë. Kjo është pse Kosova është Kosova është shteti më pro-amerikan në botë. Kjo lidhje ishte krijuar në momente të vështira, por do të vazhdojë përgjithmonë. Ne duhet të ndërtojnë një lidhje të fortë, të shëndetshme dhe paqësore me njëri-tjetrin në nivel lokal dhe global. Lidhjet do t’ju bëjnë juve një person më të mirë, më besoni, jam këtu për shkak të lidhjeve të mira”, u shpreh tutje Shehu i cili theksoi se dhimbja mund të jetë një mësues i mirë , por për të lundruar në kaos ose rrethana të aspekteve të paparashikueshme të jetës na duhen lidhje të mira me familjen, miqtë dhe komunitetin.

“Ajo që më ndodhi në fëmijërinë time ishte e vështirë, por paqja u vendos sërish në Kosovë. Ndërtova një marrëdhënie të fortë me familjen time, shokët dhe komunitetin. Shkova në Universitet në Prishtinë dhe përfundova studimet e mia në mjekësi. Shumë pak pasi përfundova studimet, njoftova disa njerëz të cilët më njohën me J.M.U që përfshinin mundësinë që unë të njoftoj presidentin e universitetit.

J.M.U. ishte një eksperiencë fenomenale për mua dhe jam shumë i sigurtë që ishte edhe për ju. Më formoi mua në nivel akademik, fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht për jetën. Për shkak të tyre po vazhdoj të qëndroj këtu para jush”.

Gjatë këtij fjalimi tejet emocionues, Shehu tregoi gjithashtu se filozofia e jetës së tij është e bazuar në eksperiencën e tij.

“Ndërtoni, mbështetuni në këshillat dhe mbështetjen e njerëzve që ju besoni. Marrëdhënia e madhe që do të ndërtoni me familjen, shokët, mentorët, këshilltarët, kolegët dhe lidhjet e shëndetshme me të cilat  jeni  të rrethuar do t’ju inspirojnë për të arritur qëllimet e tua. Ata do t’ju japin kuptim dhe lumturi ditëve tuaja. Nuk është kurrë vonë, nëse ju nuk keni qenë duke e bërë këtë deri tani, filloni sot”.

Krejt në fund të fjalimit, mjeku kosovar nuk harroi të falënderoi njerëzit që e mbështetën në JMU, sepse sipas tij ishin pikërisht këta njerëz që kanë hapur dyer e jetës për të.

Të nderuar të diplomuar, si qytetarë të botës, ju do të mund të bëheni të vetëdijshëm në mesin e shumë  sfidave botërore që mund t’ju shqetësojnë, ne po jetojmë në kohë  të paparashikueshme. Problemet botërore siç janë luftërat, krizat e refugjatëve, pandemia, ndryshimet klimatike, dhe shumë prej nesh përfshirë edhe juve jemi duke përjetuar kohë të vështira për të kuptuar këto shqetësime, por besoj shumë që aftësitë dhe dija që morët këtu dhe marrëdhëniet e forta që  ju ndërtuat dhe po vazhdoni ta zhvilloni do t’ju hapin dyert profesionalisht dhe personalisht në botën të cilën po jetojmë dhe kjo do t’ju ndihmojë juve ta krijoni një ndikim domethënës në veten tuaj më të mirë, për veten, komunitetin dhe botën të cilën po jetojmë. Të nderuar klasë e vitit 2022 nëse e kujtoni vetëm një gjë nga ky fjalim, mbani mend të krijoni marrëdhënie të forta, marrëdhënie jetëgjata pa datë të skadimit”, përfundoi kështu mjeku Shehu fjalimin e tij para të pranishmeve e që u përcoll me duartrokitje të fuqishme. Në ndërkohë, paralelisht me punën shkencore në Universitetin e Johns Hopkins, ai është duke vazhduar studimet po në këtë universitet, më saktësisht në Menaxhimin Shëndetësorë, Inovacion, Teknologji, dhe Lidershipin në sektorin Publik dhe Privat për të vazhduar karrierën në lidershipin shëndetësorë. / KultPlus.com

(Fjalimin e mjekut Arbër Shehu mund ta ndiqni nga, 1:05.)

Leave a Reply