Mediumi serb: Në 54 sekonda, Lista Serbe mashtroi serbët dhe u betua në Kosovën e pavarur

0
182

Në vetëm dy javë, Lista Serbe arriti të bëjë një kthesë të vërtetë ‘kopernikane’ të denjë për dramën e regjisorëve më të mirë të botës. Për vetëm dy javë, pra nga 5 deri më 17 nëntor, anëtarët e Listës Serbe nga veriu i Kosovës, nga performanca para kamerave, kur policët hoqën uniformat në shenjë revolte, kaluan në betimin solemn në Kuvendin e Kosovës, ku të enjten u verifikuan mandatet për deputetë të rinj nga Lista Serbe.

Kishte diçka të rreme, disi të inskenuar, në faktin se policët vendosën të hiqnin uniformat dhe të thoshin me zë të lartë “mjaft më mjaft” para kamerave televizive. Ata ishin ngopur që askush të mos i respektonte, që serbët të shtypeshin, ndërsa përfaqësuesit e Kosovës me këmbëngulje refuzuan të gjitha kërkesat e tyre, shkruan portali serb “Nova.rs”.

Me mbështetjen e heshtur të Beogradit, i cili gjithashtu premtoi ndihmë financiare për një vendim të tillë, Lista Serbe njoftoi se do të largohet nga të gjitha institucionet, përfshirë pushtetin ekzekutiv, policinë dhe gjyqësorin, dhe do ta kthejë situatën në periudhën para Marrëveshjes së Brukselit, e cila u nënshkrua në vitin 2013.

Portali më tej shkruan “u larguan nga institucionet me premtimin se nuk do të kthehen atje derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet e dakorduara, që do të thotë derisa të tërheqë vendimet për riregjistrimin e automjeteve dhe derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, transmeton Telegrafi.

“Në pak ditë u kthyem 10 vjet mbrapa, që ishte një lëvizje radikale e denjë për vëmendjen e mediave botërore, por edhe interesin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Qytetarët besuan se kjo ishte një kthesë e madhe politike me pasoja të mëdha, por çfarë mund të themi për periudhën 5-17 nëntor”, shkruan portali serb.

Më tej ky medium shkuan se “në vetëm më pak se dy javë, që kur i thamë ‘jo-në historike Kurtit’, u kthyem me kokë krenare për të bërë betimin para institucionit më të rëndësishëm në Kosovë. Aq zgjati patriotizmi i Listës Serbe. Në fakt, ai atdhetarizëm, pra parimor u shkatërrua për vetëm 54 sekonda, sa zgjati edhe betimi solemn i përfaqësuesve të Listës Serbe”.

“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se do ta kryej detyrën time me nder dhe përkushtim dhe do ta përfaqësoj popullin me dinjitet, se do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të punoj për të mbrojë dhe respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, të mbrojë sovranitetin, tërësinë territoriale dhe integritetin institucional të Kosovës, në garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit”, thuhet në tekstin e betimit të bërë nga deputetët e Listës Serbe.

Leave a Reply