Manchester United është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të mesfushorit belg, Youri Tielemans, i cili aktualisht aktivizohet te Aston Villa.
Sipas informacioneve të fundit, klubi nga “Old Trafford” është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit të futbollistit, që kap vlerën e rreth 42 milionë eurove.
Raportimet e Sky Sports bëjnë të ditur se negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare, sidomos pas përfundimit të angazhimit të Belgjikës në Kupën e Botës. Palët thuhet se janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje.
Ndërkohë, gazetari i njohur Fabrizio Romano ka raportuar se Tielemans pritet t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore brenda 24 orëve të ardhshme.
29-vjeçari u transferua te Aston Villa në verën e vitit 2023 si lojtar i lirë, pasi i përfundoi kontrata me Leicester Cityn. Gjatë kohës së kaluar në Birmingham, ai ka regjistruar 134 ndeshje dhe ka realizuar 10 gola.
Tielemans ka qenë një nga figurat kyçe të skuadrës së drejtuar nga Unai Emery. Gjatë kësaj periudhe, Aston Villa ka siguruar dy herë radhazi kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa sezonin e kaluar fitoi Ligën e Evropës. Në finalen ndaj Freiburgut, ishte pikërisht mesfushori belg ai që zhbllokoi rezultatin me golin e parë.
Më herët në karrierë, gjatë qëndrimit te Leicester City, Tielemans fitoi FA Cup dhe Community Shield.
Manchester United synon të shtojë cilësi dhe eksperiencë në repartin e mesfushës, ndërsa Tielemans konsiderohet një profil ideal për këtë rol. Deri më tani, “Djajtë e Kuq” kanë afruar Andrey Santos nga Chelsea për rreth 58 milionë euro, ndërsa bisedimet për transferimin e Edersonit nga Atalanta janë pezulluar përkohësisht.















































