Lukaku drejt largimit nga Napoli, shumë pranë transferimit te Fenerbahçe

0
37

Napoli dhe Romelu Lukaku pritet t’i japin fund bashkëpunimit, pasi sulmuesi belg është shumë pranë transferimit te Fenerbahçe. Klubi turk pritet të paguajë rreth 7 milionë euro për kartonin e tij.

Marrëveshja është afruar ndjeshëm pas përfshirjes së drejtpërdrejtë të presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis. Kreu i klubit italian ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me agjentin e Lukakut, Ledure, por edhe me drejtuesit e Fenerbahçes, duke ndihmuar në arritjen e marrëveshjes.

Vetë Lukaku e kishte dhënë më herët pëlqimin për t’iu bashkuar skuadrës turke. Belgu pritet të nënshkruajë kontratë njëvjeçare, me opsion për vazhdimin e saj edhe për një sezon. Në Fenerbahçe, sulmuesi do të ketë një pagë prej afërsisht 10 milionë eurosh në vit.

Tani mbetet vetëm që transferimi të kalojë me sukses kontrollet mjekësore, pasi Napoli dhe Fenerbahçe kanë gjetur gjuhën e përbashkët për operacionin.

Largimi i Lukakut do t’i krijojë Napolit më shumë hapësirë për të ndërhyrë në merkato. Megjithatë, pavarësisht interesimit të Gabriel Jesus për një kalim në Itali dhe dëshirës së brazilianit për t’u larguar nga Arsenali, ai nuk konsiderohet aktualisht prioriteti kryesor i klubit.

Situata në repartin defensiv ka ndryshuar planet e drejtuesve të Napolit. Dëmtimet e Marianuccit dhe Alessandro Buongiornos kanë bërë që klubi të fokusohet urgjentisht te gjetja e një mbrojtësi të ri.

Emri që kryeson listën e dëshirave është Benoit Badiashile. Mbrojtësi i Chelseat shihet si objektivi kryesor dhe Napoli synon ta përfundojë sa më shpejt marrëveshjen.

Ndërkohë, Lukaku mund të mos jetë largimi i vetëm nga “Diego Armando Maradona”. Noa Lang gjithashtu është pranë një transferimi, pasi Ajax ka shfaqur interes konkret për sulmuesin holandez.

Një lëvizje e mundshme e Gonçalo Ramos drejt PSG-së mund të ndikojë në këtë operacion dhe ta bëjë më të lehtë largimin e Langut. Napoli është i gatshëm ta shesë holandezin nëse në klub mbërrin oferta e përshtatshme.

Në anën tjetër, për Lorenzo Luccan, deri tani nuk ka ardhur ndonjë ofertë konkrete që mund të çojë në largimin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here