Policia e Kosovës (PK) njofton ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Përmes urdhrit operativ, Policia njofton se parashihen të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Sipas Policisë, plani operativ përfshin katër faza: 1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, 2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, 3) Garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dita (Z) dhe 4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Në njoftim thuhet se faza e parë veçse është realizuar dhe tani janë në zbatim të fazës së dytë, të angazhimit në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.
“Qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, njofton Policia.
Sikurse edhe në planifikimet e kaluara, sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të KQZ-së, Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Këshillit Gjyqësor, thuhet se janë caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit.
“Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor”, thuhet më tej.
Policia ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.
“Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në njoftim.














































