Kurti në Prekaz: Ruajtja e kullës së Jasharajve është obligim kombëtar e institucional

0
300

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe tek varrezat në Prekaz me rastin e përvjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari.

Kurti tha se përpos që kanë ardhur për homazhe, në të njëjtën kohë do të shohin si po shkojnë punët në ndërhyrjet emergjente në kullën e Jasharajve.

“Sot me rastin e 24-vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në vitin 1998, erdhëm të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësit të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në kullën e Jasharajve. Në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet”,  ka thënë Kurti.

Sipas tij, është obligim kombëtar e institucional që të mbrohet kulla e Jasharajve, duke shtuar se sulmi i parë erdhi para më shumë se 30 vitesh.

“Janë bërë 24 vjet prej kur forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë ia mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të parë kullës së Jasharajve. Para se të ndodhte Epopeja e UÇK-së ka pasur sulme mbi këtë Kullë, madje sulmi i parë është qysh në vitin 1991 para se më shumë se 30 vjetëve dhe ne e kemi obligim institucional, kombëtar që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës e kombit shqiptar ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht edhe të dhimbshme”, ka thënë Kurti.

Vitin e kaluar është themeluar Komisioni i ekspertëve i cili do të merret me punën profesionale në restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërsa në fillim të vitit 2022 kanë filluar ndërhyrjet në shtëpitë më të rrezikuara që janë brenda këtij Kompleksi./Kallxo.com

Leave a Reply