Kurti: Kurrë nuk e kam menduar që do të bëhem deputet, se lëre më kryeministër

0
89

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e ka menduar ndonjëherë se do të bëhet kryeministër.

Në podcastin “The Rest is Politics” që udhëhiqet nga Rory Stewart dhe Alastair Campbell, kryeministri Kurti ka folur për rrugëtimin e tij politik.“Gjithmonë e kam konsideruar veten aktivist politik. Unë kurrë nuk kam menduar që do të bëhem deputet në parlament se lëre më kryeministër. Këto janë të gjitha pasoja të veprimeve të mia dhe rrethanave, por kurrë të qëllimit tim”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Kurti në këtë takim ka folur edhe për Putinin, burgun dhe Serbinë.

Gjatë bisedës, Kurti nxori në pah edhe pasojat e rënda fizike të kohës që kaloi në burg.

Ai tha se kishte humbur 30 kilogramë peshë dhe se kishte pësuar tortura të ashpra, të cilat bënë që të humbte ndërgjegjen rreth 40 herë.

“Nuk mendova kurrë se do të mbijetoja për të dalë i gjallë nga ajo burg,” rrëfen Kurti, duke ofruar një dritë të re mbi sfidat dhe përkushtimin e tij ndaj çështjeve të Kosovës.

Ai foli edhe për marrëdhëniet me aleatët të cilat janë sfiduar nga vendimi për dinarin.  Kurti ka insistuar se me aleatët mund të mos pajtohet, porse mbeten aleate dhe partnere të Kosovës.

“Para së gjithash unë nuk e kam problem kritikën. Intelektualisht unë jam fëmijë i teorisë kritike nga, le të themi Zhan Zhak Rusoja te Shkolla e Frankfurtit. Pra, kritika është e shëndetshme, besoj se nuk ka progres pa kritikë. Mund të mos pajtohemi por BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, janë aleatet tona, miket dhe partneret tona, por kjo nuk nënkupton se bashkëpunimi ynë është rrugë njëkahësh kështu që duhet ta dëgjojmë njëri tjetrin”, ka thënë Kurti.

“Dhe në këtë kuptim unë mendoj se duhet ta mbrojë Kosovën, duhet ta përfaqësojë atë me mirë se aleatët tanë. Nuk do të isha kryeministër, po të mos ishte Kosova Republikë…” ka thënë Kryeministri.

Leave a Reply