Pak para mesnatës së sotme, arbitri danez Morten Krogh, doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e ndeshjes, derisa afër tij ishin lojtarët e Rumanisë, por jo edhe ata të Kosovës.
Ata braktisën fushën në minutat shtesë të ndeshjes, shkruan “Gazeta Express”.
Pas një përplasjeje në fushë të kapitenit Amir Rrahmani me futbollistin rumun, Denis Alibec, u krijua një tollovi e madhe.
U përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna nisën fyerjet.
Po ashtu kishte thirrje “Serbi, Serbi”, ndër të tjera. Kishte edhe hedhje të gjësendeve në fushën e lojës, derisa disa prej lojtarëve të Kosovës e bënë figurën e shqiponjës dykrenare.
Pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u kërkoi lojtarëve të tjerë që të largohen nga fusha. Këtë edhe e bënë.
Ka pasur zhvillime të shumta ndërkohë, por lojtarët e Kosovës nuk u kthyen në fushë.
Këtë ua ka kërkuar edhe arbitri Krogh, por lojtarët qëndruan prapa vendimit që të largohen.
Tani vendimin final e merr UEFA. Nëse arbitri vlerëson se lojtarët e Kosovës e kanë braktisur ndeshjen pa të drejtë, atëherë ka gjasa që fitorja 3:0 t’u takojë rumunëve.
Dalja e arbitrit për ta përfunduar ndeshjen në fushë, nuk duket se shkon në favor të Kosovës.
“Ndeshja e UEFA Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të njoftojë për zhvillimet e mëtejme në kohën e duhur”, shkruan në njoftimin e UEFA-s, të publikuar të premten pak para mesnatës.
Ka pasur raportime nga mediet rumune se arbitri u ka kërkuar lojtarëve të Kosovës të kthehen në fushë, por se ata nuk kanë pranuar.
Ndërprerja zgjati mbi një orë, para se arbitri të dilte në fushë dhe t’i binte bilbilit për herë të fundit. Lojtarët e Rumanisë kanë duartrokitur, duke bërë të qartë se çfarë vendimi presin.
Kur u ndërpre ndeshja, rezultati ishte 0:0. Në fakt, ishin pak minuta deri në fund dhe gjasat që të ndryshonte rezultati ishte fare të vogla.
Në fushë, lojtarët e Kosovës kishin dominuar. Sidomos në pjesën e parë, dominimi ishte i plotë sa u takon rasteve. Muharrem Jashari bëri goditje të fortë e më pas Edon Zhegrova e Vedat Muriqi lëshuan rast të artë. Në fund të pjesës së parë, rumunët goditën traversën.
Pjesa e dytë ishte dukshëm më e zbehtë, por fundi i zjarrtë. Lojtarët e Kosovës provuan me goditje nga distanca, por pa rrezikuar seriozisht.
Provuan Muharrem Jashari, Edon Zhegrova e më pas edhe Albion Rrahmani e Fisnik Asllani. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Rrahmani pati konfliktin me lojtarin rumun dhe u krijua tollovia e madhe.
Pas ndeshjes, në konferencë për shtyp reagoi edhe Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës, i cili iu drejtua UEFA-s drejtpërdrejtë.
“UEFA duhet të vendosë sepse jemi futbollistë, jemi për të përfaqësuar këtu popullin tonë, shtetin tonë që ka të kaluar të rëndë. Një luftë e madhe ka marrë jetën e njerëzve, ka pasur masakra. Kjo është e tepërt. Ndaluni. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri. Kaq. Këtu mbaron”, ka thënë Rrahmani.
Për herë të dytë në Bukuresht kishte thirrje anti-Kosovë. Në fakt, lojtarët e Rumanisë për shumë ditë kanë bërë thirrje që të mos ketë tensione nga tifozët, derisa pikërisht kjo ndodhi në minutat e fundit të takimit.
Edhe vjet ndeshja ishte ndërprerë mbi 50 minuta, por lojtarët e Kosovës ishin kthyer dhe kishin vazhduar.
Këtë herë vendosën të mos kthehen dhe kështu ndeshja u ndërpre, ndonëse me shenjën e arbitrit për fundin e saj.
“Në konferencën e djeshme kërkuam që çdokush të shfaqë respekt brenda dhe jashtë fushës. Para ndeshjes u kam thënë futbollistëve që të tregojnë se si Kosova mund të luajë futboll dhe këtë e kemi treguar në mënyrë të shkëlqyer. Fatkeqësisht në fund të ndeshjes humbi respekti. Dhe për këtë arsye fillimisht vendosëm që të largohemi nga fusha. Më pas kemi biseduar me futbollistët dhe gjithë të tjerët për t’u kthyer në fushë. Por problemi është që situata në stadium nuk ndryshoi. Dhe për këtë arsye më pas vendosëm të gjithë së bashku të mos kthehemi në fushë dhe të mos e vazhdojmë ndeshjen. Më vjen keq për këtë, pasi ekipi bëri lojë të shkëlqyer sonte. Por çdo kush duhet ta respektojë faktin se ne jemi Kosova. Shpresoj që në të ardhmen, UEFA të ndërmarrë hapa të duhur që ajo që ndodhi sonte të mos ndodhë prapë”, ka thënë selektori Franco Foda në konferencën e vonshme për shtyp të Kosovës.
Kosova të shtunën kthehet në atdhe, ndërsa të hënën luhet ndeshja me Lituaninë, e fundit e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Vendi i parë në grup duket i pamundur, ndonëse ka mbetur që UEFA ta marrë vendimin final. Nuk dihet nëse vendimi do të merret menjëherë.
“Nuk mund të marrim pjesë në ndeshjen, në të cilën parimet themelore të UEFA-s nuk respektohen. Pati edhe racizëm dhe sjellje racore kundrejt ekipit kombëtar të Kosovës, prandaj kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë ndeshje, sepse është hera e dytë në të njëjtin stadium. S’ka as respekt e ka fyerje racore ndaj kombëtares që ne përfaqësojmë”, ka thënë Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës. Ai foli i pari në konferencën për shtyp.
Në Rumani reagimet ishin të shumta. Një pjesë e mirë e opinionit e kanë vlerësuar të papranueshëm vendimin e Kosovës për ta braktisur ndeshjen.
Ende nuk dihet se kur do të vijë vendimi përfundimtar i UEFA-s për ndeshjen e mbrëmshme, por me gjasë s’do të jetë i mirë për “Dardanët”./GazetaExpress/