Komuna e Prizrenit s’i përmbush kriteret minimale për përfitim nga Granti i Performancës Komunale

0
281

Komuna e Prizrenit as sivjet nuk ka përfituar mjete financiare nga Granti i Performancës Komunale.

Dy nga katër kushtet minimale, të vlerësuara për vitin 2020, të cilat shërbejnë për t’u kualifikuar për grantin e vitit 2022, nuk janë përmbushur nga kjo komunë.

Duke shprehur brengën, ekzekutivi aktual po synon që nëpërmjet një Komisioni të përmirësojë rezultatet në treguesit e performancës.

Në raportin e publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thuhet se Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2022.

“Kushti minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimin ligjor për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikëqyrëse) dhe kushti minimal numër 4 (shkalla e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale për vitin 2020 së paku 75%) nuk janë përmbushur”, thuhet në raportin e MAPL-së.

Ndërsa performanca mesatare e Komunës së Prizrenit në 28 indikatorët e vlerësuar është 36 pikë, nga gjithsej 92 pikë të mundshme.

Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka pohuar se Qeveria komunale ka formuar një Komision për menaxhimin e performancës, me synimin që të ketë përmirësime në të gjithë 28 treguesit.

“Ne kemi bërë dhe një Komision shumë të rëndësishëm për menaxhimin e performancës, ku është një person i cili është në funksionin e menaxherit të performancës dhe i cili po i koordinon punët me të gjitha drejtoritë. Secila drejtori ka caktuar një ose dy zyrtarë të cilët po merren drejtpërdrejt në baza ditore me performancën. Jemi jashtëzakonisht të preokupuar me nivelin e ulët të renditjes së Komunës sonë për vite më radhë në ranglistat e performancës”, ka thënë Hoxhaj.

Monitoruesit nga shoqëria civile kanë theksuar se Komuna e Prizrenit për disa vite me radhë nuk ka përfituar nga Granti i Performancës dhe se duhet të ndryshojë qasje, në mënyrë që të ketë shërbime më të mira për qytetarët.

”Komuna e Prizrenit ka çaluar sa i përket Grantit të Performancës. Shpresojmë që me këtë hap që e ka bërë tashmë do ta bëjë ngritjen e Prizrenit pak më lart, edhe shpresojmë që do të fitohet granti i performacës, i cili grant gjithsesi e dimë që i shërben së mirës së qytetarëve. Edhe rritja e performancës është një nga komponentët kryesorë sa i përket përfitimit të këtij granti”, pohoi Eroll Shabani nga OJQ-ja “EC Ma Ndryshe”.

Komuna e Prizrenit edhe vjet nuk ishte kualifikuar për të hyrë në garë për këtë grant, pasi nuk i pati përmbushur dy kushtet minimale, rishikimin e akteve kundërligjore dhe shpenzimin e buxhetit për investime kapitale.

Leave a Reply